Vaksinimi i mjekëve kosovarë, në Kukës/ Ministria e Shëndetësisë së Kosovës: Nuk ka njoftim zyrtar, po listojmë ata që duan të shkojnë për t’u vaksinuar

16/03/2021 16:13

Ministria e Shëndetësisë, në Kosovë, e pyetur nga Top Channel, thotë se nuk ka refuzuar këtë ndihmë simbolike nga Shqipëria, por fokusi kryesor është që të fillojë sa më parë vaksinimi në Kosovë.

Deri tani shkresë zyrtare për vaksinim të personelit shëndetësor kosovar në Shqipëri nuk ka pasur, përveç kontakteve telefonike midis ministrave dhe faktit qe MSh ka mirëpritur këtë gjest të qeverisë së Republikës së Shqipërisë. 

MSh ka kërkuar nga SHSKUK-se që të përgatisin listën e personelit shëndetësor që dëshiron të vaksinohet në Shqipëri vullnetarisht, një numër simbolik sa është ofruar nga Shqipëria. Pra, varet edhe nga vullneti i personalit shëndetësor, meqë vaksina ka efekte preventive, por ligjërisht jo e detyrueshme, së paku deri tani”, shkruan Ministria e Shëndetësisë në përgjigjen e saj.

MSh nuk ka refuzuar këtë ndihme simbolike, por është e kuptueshme që  fokusi është që vaksinimi të fillojë sa më parë në Kosovë. Në Kosovë janë kryer përgatitjet për fillimin e vaksinimit dhe brenda pak kohësh, kjo edhe do të ndodhë.

Sa u përket vaksinave të AstraZeneca-s, MSh përcjell rekomandimet qe japin për to organizatat kredibile si OBSH dhe ato rregullatore si EMA dhe FDA. Ashtu siç vendosin këto institucione për cilëndo vaksinë, do të veprojë edhe Kosova”.

Top Channel