Shkatërrohet organizata që trafikonte kokainë në Itali! RENEA dhe FAST bastisin Laçin, arrestohen 2 të “fortët”

16/03/2021 11:53

Policia e Shtetit ka njoftuar finalizimin e një operacioni ndërkombëtar për goditjen e krimit të organizuar. Sipas policisë, operacioni “NEIKEA” është zhvilluar në të njëjtën kohë në Itali dhe Shqipëri, nga policia italiane dhe policia shqiptare.

Në Shqipëri operacioni u zhvillua nga FAST Albania, RENEA, Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë e Lezhë dhe Komisariati i Policisë Kurbin, në koordinim me Interpol Tiranën, IP Romën dhe UCI Albania.

Gjatë operacionit janë arrestuar në Tiranë dhe në Laç, me qëllim ekstradimi në Itali, shtetasit: B. C. alias B. K., 40 vjeç, banues në Tiranë dhe E. P. alias E. U., 27 vjeç, banues në Laç.

Mëngjesin e sotëm u përmbyll operacioni ndërkombëtar policor i koduar “NEIKEA”, në kuadër të së cilit u ekzekutuan 12 urdhër-arreste të lëshuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Milanos/Itali, për shtetas italianë dhe shqiptarë të akuzuar për veprën penale “Organizatë kriminalë, më qëllim trafikun ndërkombëtar të drogës”.

Operacioni “NEIKEA” ka nisur që nga viti 2016 nga Policia e Milanos dhe kishte për qëllim goditjen e organizatës kriminale që drejtohej nga shtetasi italian Luca Guerra që merrej me shitjen e kokainës në Balsamo/Milano.

Shtetasi Luca Guerra është arrestuar më datë 01.04.2016 dhe drejtimin e organizatës kriminale e mori shtetasi Giuseppe Sanfilipo, i cili u arrestua më datë 25.06.2016, pasi ka tentuar të vrasë shtetasin shqiptar M. P.

Në kuadër të këtij operacioni, më datë 13.11.2016 është arrestuar në kufirin midis Francës dhe Italisë,  korrieri shqiptar i drogës, si dhe janë sekuestruar 8.6 kg kokainë.

Policia e Shtetit edhe gjatë këtij operacioni tregoi besueshmëri, profesionalizëm dhe vendosmëri për të luftuar përkrah partnerëve krimin e organizuar dhe siguron qytetarët se strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin janë të angazhuara maksimalisht për të parandaluar dhe goditur paligjshmërinë, më qëllim krijimin e një ambienti sa më të sigurt dhe në këtë kudër fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri që ata konstatojnë, duke iu siguruar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA