Ralf Gjoni sulmon Luljeta Bozon, Ruçi e përjashton nga seanca: E kuptoj që ju kanë zënë ethet!

16/03/2021 10:59

Ralf Gjoni ka sulmuar Luljeta Bozon, kandidaten për deputete, e cila renditet e para në listën e PS në Tiranë duke thënë se glorifikon regjimin komunist.

Gjoni mori fjalën në Kuvend dhe foli vetëm për cështjen e zgjedhjeve, ndërsa Ruci iu përgjigj se “e kupton që e kanë zënë ethet elektorale”, si dhe i theksoi se nuk janë mbledhur për atë cështje.

Pas kësaj, Gjoni donte të replikonte, por kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruci nuk e lejoi dhe pas debatit, e përjashtoi nga seanca.

Gjoni: Luljeta Bozo del pa iu dridhur qerpiku glorifikon sistemin e vjetër totalitar komunist në Shqipëri kur i madhe  i vogël e dinë çfarë krimesh janë kryer gjatë asaj periudhe. Mikesha ime Jonila Godole e ka shkruar bukur që ka të paktën dy rezoluta për krimet. Ta dini mirë ju që jeni në listë dhe jeni përjashtuar nga lista e Tiranës. Ta dini mirë që e keni futur veten në listë me një person në krye që glorifikon regjimin komunist.

Na shitet si zonjë e nderuar që udhëheq listën e Tiranës. Në Gjermani do të ishte arrestuar dhe asnjë prej këtyre personave, qoftë ata që glorifikojnë dhe ata që kanë shërbyer, nuk do të kërkonin votë për tu futur në këtë godinë.

Kjo edhe sikur të kishte kaluar një muaj në SPAÇ, si do fliste sot? Pronën na e morën, na e tjetërsuan dhe nuk na e kthyen kurrë. Varfërinë e rritën dhe më keq se kaq, futën spiunllëkun në palcë të familjes, kultivuan lëpirjen e servilizmin dhe mos u çudisni që këta servilë e militantë, sot kthehen në horra dhe bëjnë shfaqje të shëmtuara si ajo që bëjnë në Elbasan.

E përsëris thirrjen para zgjedhjeve, mos bojkotoni por futini kryq këtyre partive sepse ky popull është mërzitur dhe nuk duhet ta lejojmë të vazhdojë të mbretërojë.

Ruçi: E kuptoj që ju kanë zënë ethet elektorale, por nuk fole një fjalë për ligjin që po diskutojmë. Ik tani.

Gjoni: Po të kërkoj një fjali, më përmende emrin.

Ruçi: Lësho foltoren, nëse nuk e lëshon, përjashtohesh nga seanca.

Gjoni: Një fjali…

Ruçi: Mua më merr të keqen, je i përjashtuar nga seanca.

Gjoni: Nuk më përjashton dot ti mua.

Ruçi: Po je trimi i madh ti xhan.

Top Channel