Skandalet e bënë punën e tyre/ Partia e Merkel, humbje e thellë në zgjedhje

15/03/2021 09:52

Kristiandemokratët kanë humbur terren në dy zgjedhjet kyçe rajonale në vend, ndërsa të Gjelbrit kanë marr hov sërish e kanë rifituar dhe landin e Baden-Württemberg.

CDU-ja e Angela Merkelit mori një goditje të fortë mbrëmjen e së dielës kur rezultatet zgjedhore treguan se skandalet e kohëve të fundit dhe mënyra sesi u menaxhua shpërndarja e vaksinave e dëmtuan partinë në këto dy zgjedhje të konsideruara kyçe. Votimet në Baden-Württemberg dhe Rhineland-Palatinate u panë si testi i parë madhor politik i “një viti super zgjedhor” i cili kulmoi me zgjedhjet e përgjithshme në muajin shtator dhe rezultati i tyre përbën një shqetësim për krerët e CDU-së.

Sekretari i përgjithshëm i partisë, Paul Ziemiak, e pohoi se rezultatet janë zhgënjyese. Megjithate, ai u përpoq që humbjen ta kanalizonte më shumë tek suksesi personal i fituesve të gjelbër dhe socialdemokratë, sesa tek dështimi i CDU-së. “Në mesin e një krize shëndetësore si kjo, ne pamë që votuesit i besuan atyre që i udhëhiqnin”, u shpreh ai.

Ziemiak nuk mundi megjithatë të mos e pranonte se skandalet e fundit të korrupsionit dhe shqetësimi lidhur me mënyrën sesi qeveria e ka menaxhuar pandeminë e kanë cenuar CDU-në, që mbetet partia më e madhe në vend. Të dhënat e para tregojnë se unioni kristiandemokrat mori 23.6% të votave në Baden-Württemberg dhe 26.5% në Rhineland-Palatinate, rezultatet më të dobëta të saj në këto dy lande.

Top Channel