Mbërrijnë 38 mijë vaksina AstraZeneca, Rama: Vaksinim i mësuesve dhe pedagogëve, presim edhe bluzat e bardha të spitalit Covid të Prishtinës

13/03/2021 01:21

I pranishëm në aeroportin “Nënë Tereza” ku dhe priti 38 mijë e 400 doza të vaksinave nga Astrazeneca, Kryeministri Edi Rama tha se në muajin prill, pritet të vijnë 60 mijë doza të tjera vaksinash, po nga Astrazeneca.

Disa shkolla do të kthehen në qendra të vaksinimit në të gjithë vendin, shtoj më tej Rama. Ai gjithashtu bëri të ditur se nga të shtunën nis vaksinimi i mësuesve dhe pedagogëve, si dhe do të lidhen kontaktet me autoritetet në Kosovë që bluzat e bardha në spitalet COVID atje të vijnë të vaksinohen në Kukës.

“Nesër do të nisim vaksinimin e mësuesve dhe pedagogëve. Do ta shtrijmë me shpejtësi në të gjithë territorin e vendit. Shkollat do të kthehen në pika vaksinimi. Presim së shpejti të vijë një sasi më konsiderueshme. Nga kompania AstraZeneca do të marrim edhe 60 mijë doza të tjera në muajin prill.

Ndërkohë që, jemi gati nga nesër të organizohemi me Kosovën për ti dhënë mundësinë mjekëve dhe infermierëve të spitaleve Covid, që nga spitali i Prishtinës. që të vijnë dhe vaksinohen në Kukës. I presim me shumë kënaqësi që nesër dhe do të lidhemi me strukturat përkatëse. Do jetë e rëndësishme, që edhe në Kosovë të thyhet kjo pengesë e tmerrshme e mungesës së dozës së parë”, u shpreh Kryeministri.

Top Channel