Alqi Bllako prezantohet me të rinjtë e Njësisë 1: I nderuar të jem pjesë e super ekipit fitues të Tiranës

11/03/2021 16:07

Alqi Bllako, i cili drejtoi për dy vite Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, u prezantua sot përpara të rinjve të Njësisë 1 në Tiranë, ku dhe është caktuar si kandidat për deputet.

Së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Bllako iu ka kërkuar sidomos atyre që votojnë për herë të parë, që të vendosin sot për të ardhmen e tyre. “Kam pasur një rrugëtim të gjatë profesional në shoqërinë civile, në sektorin akademik, në sektorin privat, dhe përgjatë 8 viteve të fundit në pozicione drejtuese në sektorin publik, ku më është dashur të marr përsipër sfida të mëdha në interes publik”, u shpreh Bllako.

Nga ana tjetër, ai pohoi se sfida e këtyre të rinjve sot është edhe sfida për të ardhmen e Shqipërisë. “Kemi nevojë për ndihmën tuaj, për mbështetjen tuaj, energjinë tuaj, që e gjithë puna e jashtëzakonshme e realizuar gjatë këtyre 8 viteve të vijojë më tej. Sfida juaj e vërtetë do jetë pas 4 vitesh, kur ju duhet të gjeni atë Shqipëri që ëndërroni dhe askush më mirë se Partia Socialiste dhe Edi Rama nuk mund ta ndërtojë Shqipërinë e ëndrrave tuaja”, deklaroi ai.

Top Channel