Kuvendi u pastrua nga memecët/ Mes deputetëve do mungojë edhe humori i opozitës së re

09/03/2021 15:13

Listat e reja të kandidatëve për deputetë pavarësisht se mund të kenë shumë kontestime duke nisur që nga transparenca apo lënia jashtë e emrave me kontribute, në fund të fundit premtojnë një rezultat pozitiv.

Ndërkohë më herët ishte ligji i dekriminalizimit që nisi funksionimin dhe dha shumë rezultate. Një tjetër pastrim duket se ka nisur, në lidhje me cilësinë e atyre që zgjidhen për të qenë përfaqësues të popullit. Parlamenti më në fund do pastrohet nga personazhe që kanë tërhequr vëmendjen jo për nismat juridike por për bëmat.

Të parët ishin anëtarët e opozitës së re, një grupim personash që morën mandatet që lanë bosh kolegët e tyre. Ata patën meritë, që garantuan funksionimin e Kuvendit pas braktisjes nga opozita deri tek realizimi i reformës. Por në Kuvend gjatë këtyre muajve pamë shumë personazhe të rrallë në llojin e tyre që vlerën më të madhe që përcollën ishte humori. Këta personazhe nuk do t;i shikojmë më, të paktën në foltoren e Kuvendit, një vend që nuk duhej të lejoheshin të ngjiteshin. Listat e reja që ka përgatitur PD dhe LSI pritet që të kenë reflektuar nga pësimet me këta personazhe. Por një lloj katharsis ka pasur edhe në listën e socialistëve.

Emra që nuk ju dëgjua zëri kurrë u tërhoqën, apo nuk u vendosën fare në listën e mazhorancës aktuale . Ashtu si tek opozita edhe brenda mazhorancës kishte shumë emra anonimë që për katër vite vetëm morën pagën dhe benefitet e të zgjedhurit të popullit dhe nuk lanë asnjë gjurmë e nuk bënë asnjë punë.

 

Top Channel