Në “krizë” për vaksinat anti Covid/ Alarmohet mjeku dhe punonjësi në qendrën e vaksinimit, mungojnë 6 doza të Pfizer në Greqi

07/03/2021 17:51

Në një kohë kur e gjithë bota është në “luftë” për të siguruar sa më shumë të vaksinës anti Covid, rastet e vjedhjes së dozave janë tepër shqetësuese.

Një ngjarje e tillë ka ndodhur në qendrën e vaksinimit në Kos të Greqisë, ku policia ka nisur hetimet pas ankesës se janë vjedhur gjashtë doza të vaksinës Pfizer.

Një person që ndodhej në qendrën e vaksinimit së bashku me një mjek njoftuan autoritetet se dikush mori dozat. Mediat greke bëjnë me dije se zhdukja e dozave u vu re në përfundim të procesit kur po bëhej numërimi i dozave që kishin mbetur.

Autoritetet policore morën dëshmi të të gjithë personave që ishin të pranishëm ndërsa viijojnë hetimet. Ka dyshimet që të jetë bërë edhe gabim në numërim.

Kjo është hera e dytë që mungojnë doza të vaksinës në Greqi. Hera e parë ishte rreth një muaj më parë në një qendër vaksinimi në Peristeri . Në atë rast, infermierja sapo kishte nxjerrë dozat nga frigoriferi dhe pasi e la në një tavolinë, bëri një pushim të shkurtër, por kur u kthye për të vaksinuar një të moshuar, ishin zhdukur dozat.

Top Channel