“Jo biznesmenë në lista!”/ Presidenti Meta nga Korça: Zgjedhjet e 25-prillit, test për integrimin!

07/03/2021 12:27

Presidenti Ilir Meta foli nga Korça për zgjedhjet e 25 prillit, teksa iu bëri thirrje krerëve të partive politike që të fusin në lista figura të pastra dhe me integritet.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta kërkoi nga Korça që në Parlamentin e ardhshëm të përfshihen sa më shumë figura akademike dhe më pak biznesmenë.

“Sa më shumë pedagoge dhe pedagogë. Sa më shumë të rinj të arsimuar dhe patriotë, sa më shumë figura të pastra dhe ju lutem shumë sa më pak biznesmenë në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë. Jo se kam diçka me sipërmarrësit, por është e rëndësishme që në Kuvendin e ardhshëm të kemi njerëz me integritet që kanë të parin interesin publik. Sa më shumë figura të ndritura dhe me integritet në mënyrë që gjithë shoqëria të përfaqësohet në Kuvendin e ardhshëm”- theksoi ai.

I pyetur nga gazetarët lidhur me largimin e disa figurave të PS dhe zëvendësimin e tyre me inxhinieren Luljeta Bozo apo shefen e Infektivit, Najada Çomo, Kreu i Shtetit u përgjigj se “Nuk kam asnjë koment për asnjë parti vetëm kam një lutje, ju lutem sa më shumë pedagoge e pedagogë, sa më shumë të rinj të arsimuar, sa më shumë figura të pastra dhe ju lutem shumë sa më pak biznesmenë në Kuvendin e Shqipërisë.

Ndërkohë që i pyetur për mundësinë që do të kenë të infektuarit me COVID për të votuar, Presidenti tha se duhet gjetur mënyra që ata të shprehin vullnetin e tyre.

“E drejta kushtetuese për të votuar prevalon mbi çdo pengesë dhe vështirësie. Të gjejmë rrugën më praktike e cila edhe ruan shëndetin por edhe nuk privon asnjë qytetar të shprehë vullnetin e tij”, tha Meta.

Top Channel