Irani “merr me të mirë” Amerikën: Po hoqën sanksionet, marrim masat që duan

07/03/2021 13:38

Irani e beri te qarte se është i përgatitur për të marrë masa drejt zbatimit të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, në momentin që Shtetet e Bashkuara heqin sanksionet ndaj këtij shteti.

“Irani është i gatshëm të marrë masa kompensuese, bazuar në marrëveshjen bërthamore dhe të përmbushë detyrimet  pasi të hiqen sanksionet e paligjshme amerikane dhe pasi të braktiset politika e kërcënimeve dhe presionit”, ka thënë presidenti iranian Hassan Rohani më 7 mars. Rohani i ka bërë këto komente teksa ka pranuar ministrin e Jashtëm irlandez, Simon Coveney, i cili po bën përpjekje për të ruajtur marrëveshjen bërthamore. Irlanda nuk është pjesë e marrëveshjes, mirëpo Dublini ka rol si ndërmjetësues për zbatim të marrëveshjes.

Rohani ka kritikuar vendet evropiane, nënshkruese të marrëveshjes – Britaninë, Francën dhe Gjermaninë – për mungesë përkushtimi ndaj marrëveshje duke thënë se Irani “është pala e vetme që ka paguar çmimin e saj”.

Presidenti amerikan Joe Biden ka dhënë shenja gatishmërie për  të zbatuar marrëveshjen, por insiston që Irani fillimisht t’iu kthehet përkushtimeve bërthamore. Ish-presidenti amerikan Donald Trump u terhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja në 2018, e cila parashikon kufizimin e programit bërthamor të Iranit, në këmbim të heqjes së sanksioneve. Administrata Trump pati thënë se marrëveshja nuk përfshin programin e raketave balistike të Iranit, dhe mbështetjen për grupet rajonale, të cilat Uashingtoni i konsideron terroriste. Pas tërheqjes nga marrëveshja më 2018, Shtetet e Bashkuara i rikthyen sanksionet gjunjëzuese për ekonominë e republikës islamike, dhe ajo u përgjigj duke braktisur gradualisht disa pika të marrëveshjes.

Top Channel