Erdoğan: Turqia është një nga 3-4 vendet më të mira në botë për mjetet ajrore pa pilot

07/03/2021 01:34

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se “Turqia është një nga 3-4 vendet më të mira në botë për mjetet ajrore pa pilot (dronët).

Në një lidhje të drejtpërdrejt nga rezidenca Vahdettin në Stamboll, presidenti Erdoğan mori pjesë në Stërvitjen taktike “Mavi Vatan 2021” (Atdheu i Kaltër 2021) ku theksoi se nuk duhet të harrohet që Turqia është rrethuar përgjatë kufirit sirian veçanërisht nëpërmjet një korridori të terrorit.

“Në Mesdheun Lindor janë bërë përpjekje për të uzurpuar të drejtat e popullit tonë dhe turqve të Qipros”, tha Erdoğan duke shtuar se janë përballur me shumë paligjshmëri, sanksione të fshehta dhe të hapura të ngjashme me këtë. Erdoğan shpjegoi se pavarësisht standardeve të dyfishta të panumërta me të cilat janë përballuar nuk kanë toleruar kurrë nga vendosmëria për të mbrojtur interesat dhe se me operacionet që kanë zhvilluar përtej kufirit kanë copëtuar zinxhirin e terrorit në tre vende të ndryshme në veri të Sirisë dhe se me operacionet kanë pastruar nga terroristët e DEASH-it dhe YPG-së një territor mbi 8.200 kilometra katrorë.

“Kemi vërtetuar hapur se do të mbrojmë me çdo kusht të drejtat tona mbi burimet e hidrokarbureve që ndodhen në Mesdheun Lindor. Me hapat që kemi hedhur në bazë të ligjit ndërkombëtar kemi penguar që Libia të pushtohet nga puçistët. Kemi bërë të dështojnë të gjitha përpjekjet e paligjshme që synonin të burgosin vendin tonë në brigjet e Antalyas. Po ashtu për fat të mirë çdo iniciativë që kemi ndërmarrë kryesisht për përfundimin e pushtimit në Malësinë e Karabakut e kemi përfunduar me sukses”, tha Erdoğan.

Ai potencoi se “Teksa kemi ndërmarrë këto hapa ne kategorikisht nuk kemi vepruar dhe nuk veprojmë me një mentalitet ekspansionist, ndërhyrës. Ashtu sikur e kemi thënë gjithmonë ne nuk kemi synime mbi territorin, detin dhe sovranitetin e asnjë vendi. Ne përpiqemi vetëm të mbrojmë atdheun tonë dhe të drejtat tona”. Në fjalën e tij presidenti Erdoğan deklaroi se “Turqia është një nga 3-4 vendet më të mira në botë për mjetet ajrore pa pilot (dronët). Eksportet tona të mbrojtjes nga 248 milionë dollarë kanë arritur në 3 miliardë dollarë. Tashmë aftësitë e sektorit tonë për ndërtimin e anijeve ushtarake njihen në nivel botëror. Kemi eksportuar mbi 130 platforma detare që tejkalojnë koston prej 3 miliardë dollarë të prodhuara deri më tani në kantieret tona”.

“Deri para 4 vitesh kishim vetëm dy kompani në listën e 100 kompanive të para të mbrojtjes ndërsa sot në të njëjtën listë ndodhen 7 kompani. Jemi bërë një vend që përballon edhe nevojat e vendeve mike dhe vëllazërore për mjetet tokësore dhe detare. Ndodhemi në mesin e 10 vendeve që mund të projektojnë, ndërtojnë dhe mirëmbajnë anijet e tyre luftarake. Shpresojmë që edhe në të ardhmen do të forcojmë infrastrukturën dhe aftësitë tona të mbrojtjes”, tha Erdoğan.

Ai rikujtoi se në muajin janar u zhvillua ceremonia për zbritjen në ujë të fregatës “Istanbul” e cila është anija e pestë e projektit MİLGEM. Presidenti Erdoğan tha se brenda këtij viti Forcave Detare do t’u shtohen anija sulmuese amfibe me shumë qëllime “Anadolu” dhe anija testuese dhe trajnuese “Ufuk”. “Vitin e ardhshëm planifikojmë të vendosim në shërbim nëndetësen ‘Piri Reis’ e cila është e para prej nëndetëseve tona të reja. Po ashtu së shpejti do të fillojmë procesin për ndërtimin e anijeve fregata 6, 7 dhe 8 të klasës MİLGEM. Ashtu si në çdo fushë, jemi të vendosur ta çojmë Turqinë në superligën e botës edhe në fushën e detarisë”, tha ai./AA

Top Channel