SHBA kritikon Kinën/ Dënon sulmin ndaj autonomisë së Hong Kongut

06/03/2021 17:50

Shtetet e Bashkuara kanë dënuar vendimet e Kinës për të rregulluar sistemin elektoral të Hong Kongut dhe i kanë konsideruar ato si “sulm të drejtpërdrejtë” në autonominë dhe demokracinë e qytetit, duke u zotuar se do të veprojnë bashkë me aleatët kundër abuzimeve të të drejtave të njeriut nga ana e Kinës.

Më 5 mars, Kina ka njoftuar se do t’i sigurojë vetes fuqi të vetos lidhur me përzgjedhjen e ligjvënësve të Hong Kongut, duke dhënë shenja të reja se qeveria e Pekinit nuk do të tolerojë më disidentët në këtë qytet. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Prince, ka thënë në një konferencë për media se veprimet e Pekinit përbëjnë “sulm direkt ndaj autonomisë së Hong Kongut… lirive dhe proceseve demokratike”.

 “Nëse zbatohen, këto masa do të dëmtojnë në mënyrë drastike institucionet demokratike të Hong Kongut. Ne po punojmë për të nxitur veprim kolektiv për të dënuar abuzimet e Kinës ndaj ujgurëve dhe minoriteteve tjera myslimane në Ksinjiang, si dhe shtypjen që po ndodh në Hong Kong”, tha Price.

Kongresi Popullor Kombëtar, pritet të miratojë këto ndryshime në sesionin vjetor, që është hapur në Pekin më 5 mars. Wang Chen, zëvendës-udhëheqës i Komitetit parlamentar të Kinës, ka thënë se mënyra e përzgjedhjes së shefit ekzekutiv të Hong Kongut duhet të reformohet, sepse “hapësirat” e sistemit elektoral të këtij shteti u kanë mundësuar aktivistëve opozitarë që të ngrenë zërin për pavarësi. Hong Kongu është ish-koloni britanike, tashmë pjesë e Kinës. Ky qytet funksionon sipas organizimit “një shtet, dy sisteme”, që nënkupton se qyteti ka sistemin e vet ligjor dhe të drejta përfshirë ato për fjalë dhe shtyp të lirë.

Top Channel