Një i ri që hyri ne ambasadën ruse i dehur, shpëtoi nga hetimet pikërisht për këtë fakt.
Prokurori i çështjes në Gjykatën e Tiranës, Bajram Brecani ka pushuar hetimet ndaj tij, pas marrjes së disa dëshmive.
Më datën 08.06.2020, shtetasi Oltjano Teropollari është shoqëruar në komisariatin nr.2 në Tiranë pasi rreth orës 4:30 ka hipur sipër murit të ambasadës ruse dhe është futur në ambientet e saj. Së bashku me të ka qenë edhe shoku Franklin Zhezha, i cili ka deklaruar se pasi kishin pirë disa birra në liqenin Artificial kanë ecur në drejtim të Tiranës së Re për në ish-Bllok. Ai thotë se nuk e ka kuptuar arsyen se përse Oltjani e ka kapërcyer murin rrethues të ambasadës.
Ndërsa Oltjano ka thënë në dëshminë e tij se nuk ka pasur asnjë qëllim të keq, e ka bërë se ka qenë i dehur dhe ndihet i penduar. Dëshmitarët kanë thënë se Terpollari vinte era alkool në momentin që është kapur 29-vjeçarin nga Skrapari.
Top Channel ka siguruar vendimin e prokurorit për pushimin e çështjes për 29-vjeçarin, pasi është vërtetuar që nuk kishte qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Nga hetimet është nxjerrë në përfundim se ai është kapur në momente të pavetëdijes nën efektin e alkoolit, duke mos ditur si të vepronte.
Top Channel