Katër ditë në Irak, Papa Francesku nis vizitën: Unë, pelegrin i paqes

05/03/2021 10:12

Papa Françesku nisi vizitën katër ditëshe në Irak, duke thënë në prag të udhëtimit se ai po shkon si “pelegrin i paqes” në vendin me shumicë myslimane, të shkatërruar nga lufta.

Papa, 84 vjeç, tha se do t’iu shtrijë dorën “vëllezërve dhe motrave të feve të tjera”, ndërsa vuri në pah “çmimin e rëndë” që kanë paguar komunitetet e krishtera në Irak gjatë dekadave të kaluara.

“Kam dëshirë t’ju takoj, të shoh fytyra të reja, të vizitoj tokën tuaj, djepin e lashtë dhe të jashtëzakonshëm të civilizimit. Unë vij si një pelegrin, një pelegrin i penduar, për të kërkuar falje dhe pajtim nga Zoti pas viteve të luftës dhe terrorizmit”.

Vizita shënon udhëtimin e parë të Papës jashtë vendit prejse ka nisur pandemia e koronavirusit, një vit më parë. Ai do të marrë pjesë në një varg ngjarjesh deri më 8 mars. Komuniteti i krishterë irakian, që numëron 300,000 banorë, është një ndër më të vjetrit në botë. Numri i tij ka rënë nga rreth 1.5 milion, sa ishte para rënies së diktatorit Saddam Hussein, në vitin 2003. Komuniteti ka qenë subjekt i persekutimeve dhe sulmeve nga grupe ekstremiste, duke përfshirë Shtetin Islamik.

Top Channel