Grekët të lodhur nga masat/ Protesta e taksistëve në Athinë: Jemi dëmtuar ekonomikisht, duam ndihmë dhe ulje taksash

05/03/2021 01:11

Duke ju rënë borive të taksive para ministrisë së Financave në Athinë dhjetëra shoferë të taksive me automjetet e tyre dhe disa të tjera të grumbulluar në bazë të ligjit të pandemisë kanë protestuar duke kërkuar ndihmë financiare dhe ulje taksash nga qeveria, ndërkohë që autoritete grekë vendosen kufizime të reja pas një rritjeje shqetësuese të numrit të të prekurve me koronavirus.

‘Po respektojmë protokollet shëndetësore. Siç mund ta shihni të gjithë kemi veshur maskat dhe po mbajmë distancën. Nuk kërkojmë të minojmë këtë situatë,por të protestojmë’- tha Panagiotis Mavrikis.

Sipas opozitës greke politikat e reja të qeverisë sjellin mbylljen e mbi 50000 bizneseve të vogla e të mesme, ndërkohë që dëmi në ekonomi nga pandemia kalon shifrën prej 41 mld euro vetëm për vitin e kaluar.

Tek shumica e qytetarëve që janë zgjuar të enjten me një seri të re kufizimesh dhe me organet e rendit që vendosin çdo ditë e më shumë gjoba për mosrespektimin e rregullave, vihet re pakënaqësi dhe lodhje sa i përket periudhës së gjatë të karantinës. Shumë qytete të vendit si Selaniku e Kozani, kanë hyrë në muajin e pestë të lockdoën-it të përgjitshëm si dhe Athina për disa javë, ndërsa ndalohen lëvizjet nga një periferi në tjetrën. Por megjithatë numri rasteve sa vjen e rritet.

Me 2.219 të prekur në 24 orët e fundit Greqia ka arritur shifrën prej 200000 infektimesh nga fillimi i pandemisë. 1667 prej tyre i takojnë variantit britanik dhe 48 atij afrikanojugor .Gjithashtu 35 persona kanë humbur jetën, ndërsa vazhdon të jetë i lartë numri i të intubuarve 449.

‘Me këtë ritëm të shtrimeve në spital, ju e kuptoni që sistemi shëndetësor është shtrirë përtej kufijve të tij për sa i përket infrastrukturës dhe stafit’- tha Vassilis Kikilias, ministër i Shëndetësisë.

Me një mesazh televiziv kryeministri Mitsotakis që ka njoftuar se Greqia ka tejkaluar shifrën prej 1 milion personash të vaksinuar prej të cilëve 350.000 kanë marrë edhe dozën e dytë, ka bërë thirrje për durim dhe respektim të rregullave.

Top Channel