Luleta Kazazi ka lindur dhe është rritur në Tiranë dhe komenton si i ka përjetuar ngjarjet e dekadave të fundit.
Thotë se ka lindur në vitin 1941. Familja e saj, Kazazi është një familje e njohur që ka jetuar në rrugën Hodobegu, pranë Ministrisë së Shëndetësisë. “Kam pasur prindër shumë të mirë dhe të komunikueshëm. Komunikonin shumë mirë me ne. Ishim 10 fëmijë, asnjëherë nuk ziheshim me njëri-tjetrin. Kam qenë fëmija i pestë”, tregon ajo.
Lexon shumë libra por thotë se preferon librat politikë. Çfarë mendon nëna Lule për politikën në botë? “Për mua, botën e sundojnë njerëzit më të këqinj, të pashpirt”. Nuk ia ka frikën koronavirusit dhe nuk pranon të bëjë vaksinës “vetëm nëse jam e detyruar ta bëj për të hyrë në Mekë”. Ajo është myslimane e devotshëm dhe fshehurazi e ka praktikuar fenë edhe gjatë periudhës së komunizmit. “Babi na tha në komunizëm punoni, mos flisni. Njëherë harrova thashë për Zotin nuk e kam bërë unë këtë, më çuan te komiteti dhe unë kurrë nuk fola më”.
Tregon si u njoh me bashkëshortin e saj, i cili nuk e pengoi të “ndihet e lirë”. “Vjehrri dhe babi im ishin shokë të ngushtë, shkonion shumë mirë. Rruga e burrit tim dilte te Lana, rruga jonë dilte te shkolla Ali Demi. Por në verë, luanim të gjithë te Lana. Burri që kisha më vonë ishte hilanjos i madh. Kur më tha babi, i thashë nuk e dua se është hilanjos. Nuk më kërkuar asnjëherë llogari, kam bërë çfarë kam dashur”.
Pasi solli në jetë fëmijën e tretë, tregon se u detyrua të shiste gjak për 10 vite rresht, për shkak të pamundësive ekonomike.
Në vitet ‘80-‘90 kam shitur gjak. Merrja 3 mijë lekë, një 15 ditësh pune dhe e rregulloja ekonominë. E kam bërë për 10 vite. Burrit në fillim nuk i thosha”.
Edhe pse në këtë moshë, ndihet plot energji dhe shpesh udhëton drejt Kosovës. “Janë njerëz shumë të mirë, më pëlqejnë shumë. Ndërsa Tirana është shkatërruar. Sikur të ishte lënë Tirona e vjetër dhe e reja të ndërtohej diku tjetër…”
Nënë Lulja është po ashtu aktive në rrjetet sociale dhe komunikon nëpërmjet “Facebook-ut” dhe “WhatsApp-it” me miqtë e saj.
Top Channel