Gjermania zbut masat/ Nga 8 marsi, nis hapja graduale

04/03/2021 12:32

Pas takimit maratonë në Berlin mes federatës dhe landeve, Gjermania vendosi të nisë hapjen graduale në sektorin e tregtisë me pakicë.

Nga 8 marsi dyqanet hapen në zonat me incidencën nën 50 infeksione për 100.000 banorë në 7 ditë. Nëntë orë zgjatën konsultimet mes kancelares Angela Merkel dhe kryeministrave të landeve lidhur me ecurinë e mëtejshme të masave kufizuese prej pandemisë së koronavirusit. Rezultati ishte zbutja graduale e masave te rrepta kufizuese anti covid.

Vendimi parashikon që me jë incidencë me më shumë se 100 infeksione përgjatë tri ditëve në zonën e prekur do të mbyllen sërish dyqanet dhe aktivitetet e tjera. Sa i përket sektorit të gastronomisë, kancelarja Merkel tha se në rast se incidenca nën 50 është e qëndrueshme në harkun kohor të 14 ditëve, atëherë mund të hapen lokalet që ofrojnë shërbime në mjedise të hapura.

Ky është një tranzicion në një fazë të re. Megjithatë nuk duhet të jemi të shpenguar, por të kemi shpresa të bazuara. Eshtë e rëndësishme që hapat e mëtejshëm të bëhen me mençuri. Federata dhe landet ranë dakord për të ashtuquajturën frena e emergjencës në rast se incidenca shtatë ditore arrin në 100. Në një rast të tillë duhet të sprapsen vendimet për hapjen”, tha Merkel.

Lidhur me ecurinë e çalë të vaksinimit synohet që duke nisur nga fillimi i prillit në këtë proces të involvohen më shumë se deri tani mjekët ekspertë dhe mjekët e familjes. Aktualisht vaksinimi zhvillohet vetëm në qendrat e krijuara enkas. Është vendosur gjithashtu që duke nisur nga 8 marsi çdo qytetari do t’i ofrohet një test i shpejtë ndaj koronavirusit falas, theksoi kancelarja.

Top Channel