Albin Kurti në Gjirokastër, mbështet kandidatin e LVV për zgjedhjet e 25 prillit: Shqipëria ka nevojë për…

04/03/2021 12:01

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje ndodhej në Gjirokastër ditën e sotme, nga ku u shpreh se Shqipëria ka nevojë për zhvillimin që sjell punësim dhe për drejtësi që nuk krijon korrupsion.

I pyetur nga gazetarët se cili është qëllimi i LVV në Shqipëri, Kurti u përgjigj:

“Sot jemi këtu në Gjirokastër, në kalanë e Gjirokastër, te vendi ku një javë pasi u ngrit flamuri nga Ismail Qemali në Vlorë u ngrit edhe në Gjirokastër, së bashku me Kreshnik Mergjani, i cili është kandidat për deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe të cilin LVV e mbështet dhe puna e parë e të cilit ka qenë këtu në kalanë e Gjirokastrës”.

Albin Kurti në kuadër të fushatës elektorale që po kryen në Shqipëri, një ditë më parë është takuar me Ilir Metën, Lulzim Bashën e Sali Berishën. Ai konfirmoi se ka kryer një takim edhe me kryeministrin e vendit, Edi Ramën.

-U takuat Presidentin dhe kreun e opozitës, ndërsa kryeministrin Rama jo, a tregon kjo një ftohje mes jush?

“Unë i kam të tre dje, edhe kryeministrin Rama, edhe Presidentin edhe kryetarin Basha”, tha kreu i LVV.

-Duke qenë se janë tre deputetë a do i bashkoheni koalicionit opozitar apo do jeni të pavarur?

“Jane tre kandidatë të pavarur të cilit ne i mbështesim, Kreshnik Mergjani në Gjirokastër, Bojken Abazi në Tiranë dhe Iliaz Shehu në Lezhë, këta janë të pavarur dhe ne i duam për deputetë të kuvendit të Shqipërisë që të angazhohen për përparimin e të gjithëve sepse Shqipëria ka nevojë për zhvillimin që sjell punësim dhe për drejtësi që nuk krijon korrupsion”, tha më tej Kurti.

Top Channel