Viktima Tauland Manaj

Tauland Beqiraj u ekzekutua pasditen te merkuren në mes të qytetit të Vlorës me breshëri kallashnikovi.

Viktima Tauland Beqiraj, që njihej edhe me mbiemra të tjerë si Gjikaj apo Manaj nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, pasi ai ishte arrestuar për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe thyerje të masës së sigurisë “Arrest shtëpie”.

Tauland Manaj u kap nga policia e Vlorës në vitin 2018 duke udhëtuar në makinë i armatosur edhe pse ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, pasi u përfshi në një përplasje mes bandave në Vlorë.

Në makinë, Manajt iu gjet një armë tip pistoletë luftarake “Baretta”, kalibër 9mm, lëndë narkotike 0.688 gram kanabis, karikator me fishekë dhe 1250 euro.

Ai u lirua në vitin 2018 nga tre gjyqtarët, Nazmi Troka, Klodiana Gjyzari dhe Hysen Saliko me kryesues këtë të fundit, duke  i ndryshuar masën e sigurisë nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie”.

Tauland Beqiraj u arrestua nga policia për veprën penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Top Channel ka siguruar dosjen tij ku vendimi për ta liruar nga hekurat merret nga tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Vlorë.

Gjykata e Vlorës e deklaroi fajtor Manajn për mbajtje pa leje dhe prodhim të  armëve shpërthyese e municionit duke e dënuar me 3 vite e 6 muaj burg dhe për veprën “Largim nga vendi i qëndrimit të burgosurit” duke e dënuar me 6 muaj burg.

Por me uljen 1/3 të dënimit ai u la në burg për 2 vite e 4 muaj. Ai  doli i pafajshëm për veprën “Prodhim e shitje narkotikësh”.

Por kundër këtij vendimi ishte Prokuroria e Gjykatës së Vlorës e cila kërkoi ndryshimin e masës.

Sipas dosjes edhe ai kërkoi ndryshimin masës së sigurisë duke thënë se “ishte larguar nga banesa për arsye shëndetësore pasi do të shkonte të mjekonte këmbën për shkak se ishte plagosur në një ngjarje të ndodhur një ditë më parë dhe prandaj ndodhej edhe nën masën Arrest në shtëpi. Ai ka konstatuar vështirësi në përdorimin e mjetit dhe i ka kërkuar ndihmë një djali të lagjes të quajtur Mandi për ta dërguar në ambulancë me makinën e tij Mercedez-Benz. Në momentin që kanë mbërritur në ambulancë ai ka lënë në makinë një sasi eurosh dhe lënde narkotike, por djali që e shoqëroi i tha që po i fuste në marsupin e tij që mos t’i linte në sendilje. Më pas Taulandi i ka kërkuar që ta dërgonte në shtëpi pasi i kishte ardhur policia në banesë, por djali i quajtur Mandi sapo ka dëgjuar se kishte shkuar policia me pamje të shqetësuar kishte thënë që të vazhdonte i vetëm. Taulandi tha se makina nuk është e tij por e të atit dhe arma e marsupi nuk është i tij, por lënda narkotike po sepse ishte përdorues. Ka rezultuar se arma nuk është përdorur më parë për ndonjë ngjarje.”

Në përfundim, Gjykata e Apelit pasi shqyrtoi ankimin e tij vendosi pezullimin e ekzekutimit me burgim dhe vënien në provë në një periudhë 2-vjeçare që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepra penale.

Tauland Manaj u vra sot rreth orës 14:20, në lagjen “Bashkimi” të Vlorës, ndërsa mbante një pistoletë me vete. Ai ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital si pasojë e plagëve të marra. Deri më tani është kapur një prej autorëve të dyshuar të vrasjes dhe është shpallur në kërkim një tjetër. Pista kryesore e ekzekutimit është e shkuara e tij kriminale.

FOTO GALERI
1/18

Top Channel