Reagon Balla pas transmetimit të investigimit të “Top Story” për klubin Partizani

03/03/2021 15:30

Taulant Balla i Partisë Socialiste thotë SPAK duhet të bëjë hetimin e pasurive të vendosura nga korrupsioni, falsifikimi i dokumenteve shtetërorë dhe abuzimet me pasuritë e shqiptarëve.

Balla vlerëson faktin se është bërë publik  dokumenti që zbardh veprimet e paligjshme që çuan në tjetërsimin e Kompleksit “Partizani”. “Ky dokument që për ironi të fatit të personave të akuzuar mban firmën e krushkut të Sali Berishës, i cili konfirmon që shteti i Berishëve u ka kthyer padrejtësisht një pronë shtetërore të shpronësuar dhe të blerë nga shteti“, shkruan Balla në postimin në “facebook”.

Shqiptarët presin me besim tek SPAK hetimet në procesin e tjetërsimit të ish-kompleksit ‘Partizani’, shitjen e tij me një vlerë qesharake sa një hyrje apartamenti 2+1 në atë zonë, ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, shpërdorimin e detyrës së zyrtarëve të përfshirë dhe vepra të tjera penale. Sa pronarë të ligjshëm ka në Shqipëri që nuk u janë kthyer pronat e tyre, ndërkohë që Sali Berisha i dha këtë supër pronë dhëndrit të tij?

Ai kujton se që në vitin 2012 ka denoncuar grabitjen e kompleksit Partizani, duke përvetësuar ndërtesat dhe fushat e futbollit në qendër të Tiranës.

Asokohe qeveria e Sali Berishës e privatizonte kompleksin “Partizani” tek disa persona të përfaqësuar nga dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Në kohë rekord nga tetori i vitit 2008 deri në dhjetor të atij viti ministria e Mbrojtjes e drejtuar nga Arben Imami, anëtar i qeverisë së vjehrrit të Malltezit, përfundoi të gjitha procedurat për kalimin e pronësisë së tokës dhe shitjen e hotelit gjigant dhe ndërtesave me 100 milionë lekë të vjetra. E kam denoncuar këtë akt të të rëndë korruptiv në atë kohë për disa javë rresht, duke publikuar të gjithë dokumentacionin. Madje mu desh të përballem me salinjtë edhe ne Gjykatë për këtë dosje korruptive.

Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Jamarbër Malltezi është shtuar si aksioner me 35 % tek kompania “Homeplane” në dhjetor të vitit 2018, me kontribut 35 mijë lekë. Jamarbër Malltezi i ka blerë këto aksione në 23 janar të vitit 2014, pra shumë më herët sesa regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ai nuk e ka regjistruar kontratën në QKB, për të qëndruar i fshehur si ndërtues. Kompania ‘Homeplan’ në bashkëpunim me “Kontakt” kanë aplikuar për një leje zhvillimore për ndërtimin e një kompleksi pallatesh, tek zona e ish Kompleksit Partizani, pas Inxhinierisë së Ndërtimit. Leja zhvilliore është zbardhur nga Bashkia e Tiranës me firmën e Lulezim Bashës më 18 gusht 2013 dhe vetëm pas 6 muajsh pas nisjes së punimeve, Jamarbër Malltezi futet si aksioner i këtij pallati ndërtimi. Në këtë mënyrë nga një pronë prej 144 metrash tokë, Jamarbër Malltezi u bë pronar i më shumë se një të tretës të një kompleksi pallatesh me vlerë mbi 20 milionë euro“, shkruan Balla.

Top Channel