“Kam vendosur të jem në vend të 7-të në listën e Beratit”/ Lefter Maliqi nuk “zë vend”, ja me cilën parti politike bashkon forcat

03/03/2021 10:04

Lefter Maliqi ka vendosur të punojë për LSI në zgjedhjet e ardhshme parlamentare duke zbuluar se do të jetë i 7-i në listën e kandidatëve në qarkun e Beratit, praktikisht vendi i fundit, dhe me pothuajse zero mundësi për të qenë në Kuvend.

Arsyen përse ka zgjedhur që të jetë në fund të listës e lidh me faktin se do të vërtetojë për të gjithë mbështetjen që ka në Berat duke theksuar se është “bast moral dhe publik”.

Maliqi duket se ka zgjedhur të rikthehet sërish në LSI pasi emigroi disa herë nga PS në PD dhe anasjelltas, ndërsa pranoi mandatin e deputetit nga radhët e demokratëve në vitin 2019, duke hyrë në Kuvend. Me anë të një postimi në Facebook, Maliqi thekson se synon që forca politike me të cilën është bashkuar do të marrë 3 nga 7 mandatet në Berat.

Maliqi ka qenë më parë bashkëpunëtor i Erjon Braçes, por më pas u kthye në armikun e tij. Në kohën e PD ishte kryetar komune, më pas hyri në parlament si deputet, ndërsa në kohën e PS siguroi një post si drejtues burgjesh.

Për emigrimin e tij nga një parti në tjetrën, Maliqi e justifikoi duke thënë se ka provuar të jetë me PD-në, PS-në dhe LSI-në, dhe e njeh mirë punën me bazën në terren. Këtë herë do të jetë Koordinator politik i fushatës së LSI-së për Bashkitë Kuçovë dhe Ura Vajgurore, ndërsa mbetet për tu parë pas zgjedhjeve të 25 prillit se çfarë do të arrijë me këtë lëvizje të re.

Reagimi i plotë

VENDIMI IM PËR POZICIONIMIN POLITIK NË ZGJEDHJET E 25 PRILLIT!

Të dashur miq!

Pasi ju bëra me dije që në Dhjetor 2020, që do të bëja një shkëputje nga protagonizmi im në media, derisa të vendosja pozicionimin tim politik zgjedhor, tashmë rimarr komunikimin tim intensiv me ju me një VENDIM.

Të gjithë ju që më njihni, e dini mirë historikun e kontributit tim politik, dhe vitet e mia në shërbimin tuaj kanë dominuar krah forcës së cilës unë i bashkohem në këto zgjedhje.

Mora një kohë relativisht të gjatë për të vendosur, (vetëm pazaret bëhen shpejt), sepse jetoj dhe punoj vetëm me një qëllim: T’ju shërbej juve, interesit publik, në veçanti elektoratit tim në qarkun e Beratit.

Koha ime më e madhe kalon pranë bashkëqytetarëve të mi në Berat dhe vendimi im është reflektim mbi dëshirën dhe mendimin e tyre.

Pakënaqësia e tyre dhe ajo e bashkëatdhetarëve të tyre në të gjithë vendin, është e madhe dhe në këto kushte, unë ndjej detyrimin për t’i dhënë shpresën për ndryshim, për të cilën kanë nevojë më 25 Prill.

Kam qenë, jam dhe do të jem zëri i tyre, opozitari i çdo Qeverie, sepse qëllimi im nuk është pushteti (ndryshe do kisha qëndruar me pushtetin kur kam pasur rastet), por është përfaqësimi dinjitoz i atyre që më votojnë me symbyllur.

Nga sot, unë zhvendosem me kohë të plotë pranë elektoratit tim në qarkun e Beratit, si Kordinator politik i fushatës për Bashkitë Kuçovë dhe Ura Vajgurore, për një fushatë që do ngjizë ndryshimin e madh, të cilin shqiptarët e kanë jetik.

Kam kërkuar që të jem në fund të listës, numri 7, për t’ju dëshmuar të gjithëve, se sa mbështetje gëzoj në qarkun e Beratit.

Ky është bast moral dhe publik!

Unë, Lefter Maliqi, rreshtohem krah partisë që ka kërkuar gjithmonë sistem dinjitoz zgjedhor dhe integrimin e vendit ne BE, këtu e shumë vite më parë, në sinkron të plotë me parimin tim dhe dëshiren e Shqiptareve.

Unë votohem dhe votoj, bashkë me ju, për LSI-në, dhe fitojmë 25 Prillin, me dhe për shqiptarët!

Ju garantoj se ekipi i LSI-së në Qarkun e Beratit do fitoj 3 mandate, dhe opozita e bashkuar do të kthehet me fitore!

Top Channel