Bulqizë/ Arrestohet i riu që aksidentoi për vdekje 69-vjeçarin dhe u largua nga vendi i ngjarjes

03/03/2021 12:39
Foto ilustruese

Bulqizë – Dy persona janë arrestuar për vepra të ndryshme penale ndërsa katër të tjerë janë proceduar penalisht për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.

Policia bën me dije se një 22-vjeçar u arrestua pasi po qarkullonte jashtë fashës orare, në kundërshtim me rregullat e koronavirusit pa një arsye të domosdoshme.

Ai u ndalua rreth orës 00:30 për  verifikim nga kontrollet policore dhe fyeu e kundërshtoi shërbimet e policisë. 22-vjeçari është arrestuar dhe akuzohet për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

“Qarkullonte jashtë fashës orare pa ndonjë arsye të domosdoshme, fyeu dhe kundërshtoi punonjësit e Policisë pas ndalimit për verifikim, arrestohet në flagrancë 22-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në vijim të punës për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese anticovid, rreth orës 00:30, në qytetin e Bulqizës, kanë konstatuar një automjet që lëvizte jashtë fashës orare, të cilit i është bërë shenjë ndalimi për verifikimin e arsyes së lëvizjes. Gjatë komunikimit, drejtuesi i mjetit ka fyer dhe kundërshtuar shërbimet e Policisë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. A., 22 vjeç, banues në Bulqizë, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik””, njofton policia.

Një 24-vjeçar është arrestuar pasi aksidentoi për vdekje një 69-vjeçar në segmentin e rrugës së Arbrit dhe ia mbathi nga vendi i ngjarjes.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit  N. D., 24 vjeç, banues në Zerqan, Bulqizë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Arrestimi i tij u bë pasi më datë 01.03.2021, në Gjoricë, (në segmentin e rrugës së Arbrit që është  kantier ndërtimi), duke drejtuar automjetin tip “Mercedes Benz” ka  aksidentuar me pasojë vdekjen shtetasin R. R., 69 vjeç, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes”, njofton policia.

Sa i përket parandalimit të krimeve mjedisore, janë proceduar penalisht katër persona pasi u konstatuan duke ndërtuar objekte pa leje.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, si rezultat i kontrollit të territorit kanë evidentuar dhe goditur 4 raste.

Janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, shtetasit P. K., D. H., A. V., Q. T., banues në Dibër, pasi janë konstatuar duke ndërtuar objekte, pa lejen e organeve përkatëse.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Top Channel