Aeroporti i Kukësit, bëhet fluturimi i parë provë për të testuar uljen e avionëve (VIDEO)

03/03/2021 12:55

Puna për ndërtimin e aeroportit të Kukësit vijon, ndërsa ditën e sotme është bërë fluturimi i parë për të testuar uljen e avionëve.

E pranishme ishte dhe ministrja Belinda Balluku, e cila bëri të qartë se avioni nuk do të ulet në pistë për arsye sigurie pasi vijon ende puna.

“Vetëm një muaj nga fillimi i operimeve. Punët kanë pasur një ecuri të shpejtë dhe jam e impresionuar nga ritmi. Sot do të kemi një fluturim prove në aeroportin e Kukësit për të dizenjuar procedurën e ulje ngritjeve.

Këto janë procedura standard, të cilat duhet kryer dhe duke nisur nga sot dhe ditët në vijim do të ketë disa të tilla. Për arsye sigurie, avioni nuk do të ulet pasi vijon puna në pistë.

Punimet kanë ecur dhe sa i përket terminalit. Deri në ditën e dorëzimit të certifikimit të këtij aeroporti, do të përmbushen të gjitha kushtet e nevojshme për një aeroport ndërkombëtar, i cili do të jetë i dyti në Shqipëri. Pas pak ditësh do të kemi dhe përfundimin e rezultateve nga gara e aeroportit të Vlorës dhe do t’i jepet start negocimit të kontratës duke nisur procedurën për aeroportin e tretë në territorin e Shqipërisë”, tha Balluku duke theksuar se ka pasur erë të fortë në Kukës dhe është parë funksionimi i rrymave të ajrit me fluturim të vërtetë.

Ministrja shtoi se brenda mandatit 4-vjeçar tjetër pritet që të nisë ndërtimi i aeroportit të Sarandës dhe i Korçës.

“Brenda 4 vjeçarit të ardhshëm parashikojmë të nisim dy aeroporte të tjera, të cilat janë ndërkombëtare por më të vogla që do jenë vetëm për nevoja turistike, ai i Sarandës dhe i Korçës.

Shpresojmë shpërndarjen e vaksinës në të gjithë botën, ku edhe në Shqipëri po shtohen dozat, të kemi mundësinë të udhëtojmë sërish. Aviacioni të rikuperohet dhe të kthehet në shifrat e 2019 dhe shpresojmë që duke u rikthyer gjithë kjo industri, ne të ecim përpara dhe shqiptarët që duan kaq shumë të udhëtojnë, të kenë mundësinë që përmes konkurrencës të përfitojnë cmime shumë më të ulëta dhe shërbim më cilësor”, tha Balluku.

Pamjet janë publikuar në faqen e Facebook të kryeministrit Edi Rama, i cili nuk hezitoi të thumbonte të gjithë skeptikët duke shkruajtur:

“Në Aeroportin e Ri Ndërkombëtar të Kukësit nisin testimit e uljes së avionëve, ndërsa po punohet paralelisht në disa fronte për të hapur së shpejti portat e aeroportit të ri. Avionët e testimeve janë 3D natyrisht, për të gjithë miqtë demokratikas këtu që shajnë e përqeshin me pasion.”

Top Channel