Lezhë/ Mbante mitraloz, granata e municion luftarak të groposura pranë shtëpisë, qytetarët njoftojnë policinë

02/03/2021 11:09

Disa municione luftarake janë gjetur në Kurbin të Lezhë pas denoncimit nga banorët e zonës. Ndërkohë, personi që i kishte groposur ndodhet në burg për “dhunë në familje”.

Policia njofton se pas kërkimeve nga specialistët e Njësisë Antieksploziv ka sekuestruar 1 mitraloz, 1 pushkë, 11 granata, 30 ndezës granate dhe 55 fishekë.

Shtetasi me iniciale K.P. i kishte groposur këto municione pranë banesës së tij, në fshatin Sanxhak të Kurbinit. Aktualisht, 43_vjeçari është i dënuar me arrest me burg, për veprën penale “dhunë në familje”.

Ndërkohë, Prokuroria ka nisur hetimin.

Njoftimi i policisë:

Falë besimit dhe bashkëpunimit me qytetarët, pas informacioneve të marra dhe kërkimeve të shumta, policia gjen të fshehura në tokë, armë zjarri, granata e municion luftarak.

Poseduesi i tyre, i arrestuar tre muaj më parë, po vuan dënimin për veprën penale “Dhunë në familje”.

Sekuestrohen 1 mitraloz, 1 pushkë, 11 granata, 30 ndezës granate dhe 55 fishekë.

Shërbimet e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me specialistët e Njësisë Antieksploziv, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se në fshatin Sanxhak, Kurbin, përreth banesës së shtetasit K. P., 43 vjeç, kishte të fshehura armë zjarri dhe municion luftarak, menjëherë kanë organizuar punën për gjetjen e tyre.

Gjatë kontrollit të ushtruar në oborrin e banesës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura në tokë: 1 mitraloz, 1 pushkë, 11 granata, 30 ndezës granate dhe 55 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Shtetasi K. P., 43 vjeç, banues në Sanxhak, Kurbin, aktualisht po vuan dënimin në I.E.V.P. Shënkoll, Lezhë, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Materialet në ngarkim të këtij shtetasi u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë falënderon qytetarët për besimin dhe mbështetjen dhe fton cilindo që disponon informacion për paligjshmëri, të informojnë në numrin 112 apo Komisariatin Digjital, duke iu garantuar anonimat të sigurt dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

Top Channel