“Kohët e fundit tregonte çdo gjë, po e ndjente fundin dhe donte të shprehej…”/ Vikena Kemenica rrëfen kujtimet me kompozitorin Agim Krajka

02/03/2021 13:43

Miqtë dhe kolegët e Artistit të Popullit ndajnë kujtimet me Agim Krajkën.

Kohët e fundit thoshte çfarë mendonte. Në fakt gjithnjë e shprehte çfarë mendonte por kohët e fundit më shumë, thoshte çfarë ndjente”, thotë Vikena Kamenica.

Këngëtarja tregon çfarë e shqetësonte artistin. “Mediokritetin e kishte dhimbje. Faktin që të gjithë po quheshin artistë, dhe ata që bëjnë këngë por që nuk janë këngëtarë”.

Këngëtari Kozma Dushi rrëfen se të këndonte një këngë të Agim Krajkës ka qenë dëshira e tij, por që nuk u realizua. “E kam takuar për herë të parë Krajkën në RTSH. Unë isha i vogël, e takoja  nëpër koridore. Më vjen keq që nuk pata fatin të këndoja një këngë të tij. Të them të drejtën për të kënduar një këngë të tij, kishte radhë të madhe. Kanë fat ata që kanë kënduar këngë të kompozitorit”.

Kozma Dushi e konsideron Agim Krajkën “artistin që ka bërë muzikë të lehtë, të vërtetë shqiptare”.

Agim Krajka ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pas viteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961. Ai është nderuar me mbi 15 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe vetëm një çmim të parë në Festivalin e vitit 1987, me këngën “Nuk e harroj”, të kënduar nga motrat Libohova.

Mbrëmë, Ulis Krajka njoftoi ndarjen nga jeta të babait të tij.

Top Channel