Dekriminalizimi/ Rama: Është bërë këngë e padurueshme. Ka një ligj që merret me këtë fenomen

02/03/2021 13:34

Kryeministri Edi Rama ka folur për pastërtinë e kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit duke thënë se ka një ligj që merret me funksionimin e kësaj problematike.

Rama theksoi se ka pasur probleme me disa individë që janë adresuar ndërsa shtoi se nuk duhet të biem pre e kësaj balte për të zhytur përditë njëri-tjetrin. Ndër të tjera theksoi se kjo temë është bërë këngë e padurueshme duke kriminalizuar deputetët socialistë dhe të partive të tjera.

Rama: Unë kam përshtypjen që kujtesa më funksionon saktë kur them që komunizmi ka vdekur në vitin 1910 në Shqipëri dhe po ashtu gjuetia e shtrigave ka përfunduar në vitin 1910 si filozofi shteti, pushteti, shoqërie. Këto pyetje më duken pa vend, pa kuptim, pa lidhje sepse realisht ajo që është për të ardhur shumë keq është që ndërkohë që në Kuvendin e Shqipërisë unë kam parë dhe shoh gra shumë të zonjat me të gjitha atributet për të qenë lartësisht të respektuara, krejt në rregull nga çdo pikëpamje që lidhet me këtë temë, kjo temë është bërë një këngë e padurueshme duke kriminalizuar komplet një grup të tërë njerëzish dhe këtu nuk flas vetëm për deputetët socialist por për të gjithë deputetët e partive të tjera.

Natyrisht kemi pasur problem me disa individë, janë adresuar, kemi një ligj për adresimin e drejtpërdrejtë të këtij fenomeni dhe është shumë e qartë që interesi ynë është që t’i japim shqiptarëve të kenë mundësinë të zgjedhin kandidatët e mundshëm. Çfarë janë këto pyetje? Më duken krejtësisht banale e gjithë kjo histori. E kuptoj që miqtë dhe partnerët tanë e thonë dhe e kërkojnë në funksion të mbështetjes një procesi që vazhdon dhe është i garantuar. Ne nuk duhet të bëhemi pre e gjithë kësaj baltovine ku zhysim përditë njëri tjetrin sepse kanë kaluar në plan të dytë e të tretë dhe të fundit janë ata që bëjnë ligjet në Shqipëri. Ka njerëz të nderuar që punojnë, kush e bëri reformën në drejtësi, kush i ka bërë të gjitha reformat? Kriminelat? Është e tepërt.

Top Channel