Deklarata e Metës për “prerjen e dorës” dhe dorëheqjen si President, Rama: Pse duhet të kem frikë?

02/03/2021 14:01

Kryeministri Edi Rama ka komentuar deklaratat e Presidentit Ilir Meta në lidhje me vjedhjen e votës në zgjedhjet e 25 prillit dhe dorëhqjen e tij si President.

I pyetur se nga cila ka frikë, Rama bëri batutë me gazetarin duke i thënë: “Përse duhet të kem frikë? Më zhgënjeve, fole për Ilirin por edhe ti konfuz si Iliri kështu që ruaje buzëqeshjen dhe herës tjetër përgatitu më mirë.”

Kujtojmë se një ditë më parë, Meta foli me tone të ashpra duke thënë se do i presë dorën kujtdo që vjedh votën dhe në rast se Rama merr 71 mandate, do japë dorëheqjen si President për të kaluar në opozitë.

“Shqipëria do të hyjë në epokën e sundimit të referendumeve pas 25 prillit. Do dalë nga epoka e errët. Unë votën e kam kundër oligarkisë. Unë votën e kam për të thënë se këtu sovran është populli shqiptar. Në emër të popullit shqiptar, do ua pres dorën. Mos guxojë njeri të luajë me votën e popullit shqiptar. U prek Vota, u pre dora. 

Mori Edi Rama 71 mandate? Unë më 26 prill do të jap dorëheqjen, kaq do ta bëj, siç bëri Ramiz Alia. Nëse ai merr 71 mandate, pa prekur votën e popullit, unë do të jap dorëheqjen dhe unë do të kaloj në opozitë, sepse unë respektoj demokracinë. Ama nëse preket një votë e lirë e shqiptarëve, këtu historia mbaron”, tha Meta.

Top Channel