Erozioni vijon të dëmtojë sipërfaqe të mëdha toke bashkë me pishat shumë vjeçare në një vijë prej disa kilometra që nis nga fundi i Plazhit të Vjetër në Vlorë e deri në afërsi të Tri Portit.
Ky erozion që shkaktohet nga afrimi i detit me tokën bën edhe zvogëlimin e hapësirave të plazhit për qytetarët.
Banorët e kësaj zone dhe peshkatarët tregojnë se plazhi para disa vitesh ka qenë rreth 100 m, ndërsa sot është i mbuluar nga uji i detit.
“Kam 50 vjet që peshkoj , ka shumë ndryshime, pishat janë rrëzuar. Deti ka ardhur dhe i merr te gjitha pemët përpara. Duhet të ketë një barrierë mbrojtëse. Sapo ka 4-5 balle det uji vërshon në mes të pishave”.
Sipas specialistit të mjedisit Simo Ribaj kjo gjendje është kritike.
“Ndryshimi në vite është i dukshëm , situata ketu është katastrofë. Duke shtuar pemët mund të rekuperojmë situatën. Hartimi i projekteve të posacme për ruajtjen e pyjeve, ti themi stop zjarrëvënies. Edhe pse ka pasur nisma shoqatash për mbjelljen e pemëve ata qe e kanë për detyrë siç janë vendimmarrësit duhet të reagojnë dhe të marrin masa të menjëhershme pasi nuk do tē ketë kthim mbrapa dhe dëmet do të jenë të paparashikueshme.”
Përgjegjësi i sektorit te pyjeve dhe kullotave prane bashkise Vlore Llazar Gjoncaj thotë se duhet bërë një studim ku të ketë propozime për zgjidhjen e situatës.
“Është rreth një km zona në fund të plazhit të vjetër ku ka vite të tëra që është e ekspozuar e kjo duket qartë edhe në vijën e bunkerëve të mbrojtjes që ishin bëre në kohën e sistemit të kaluar të cilët sot ndodhen ne det.Ka filluar po futet edhe te rreshti i parë i brezit të parë të pishave është një shqetësim qe ne e kemi ndaj të cilit konkretisht nuk kemi marre ende masa por në vijim nëpërmjet një studimi të mirëfilltë dhe me eksperiencën nga vende të tjera do të mund të realizojmë një ndërhyrje”.
Mos ndërhyrja për ti vënë fre erozionit do ti shtojë edhe më shumë dëmet e deritanishme në këtë zonë.
Top Channel