Në Itali ka nisur faza e parë e testimit të vaksinës italiane Rottapharm Takis tek njerëzit. Doza e parë do t’i administrohet një 21-vjeçari në spitalin San Gerardo në Monza.
I riu ka dalë ka dalë vetë vullnetar. Pas vaksinimit, do të priten dy ditë për të parë nëse ka efekte anësore. Paskesaj, do të vaksinohen edhe dy vullnetarë të tjerë, e në ditët në vijim edhe dy të tjerë e kështu me radhë. Gjithsej, në fillimin e eksperimentit dozat e vaksinës italiane do t’i marrin 20 persona. Sipas ekspertëve, kjo vaksinë është ndryshe nga të tjerat sepse bazohet mbi AND-në, molekulën e qëndrueshme, ndryshe nga ato mRna, dhe mund të modifikohet shumë shpejt kundër varianteve të ndryshme të koronavirusit.
Studimi i fazës së parë të vaksinës është duke u zhvilluar edhe në Spallanzani në Romë, si dhe në Institutin Pascale në Napoli, pas autorizimit të Aifa dhe Komitetit të Etikës Spallanzani. Ky zhvillim vjen në një kohë kur variantet e reja po kthehen në shqetësim madhor për vendin fqinj, teksa shumë rajone po ndryshojnë ngjyrën, me Lombardinë, Marche dhe Piemonte në portokalli dhe Basilicata dhe Molise, me të kuqe. Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, ka paralajmëruar se javët e ardhshme nuk do të jenë të lehta, pasi rastet e reja po rriten ndjeshëm e tha se virusi me të cilin po përballemi, është tinëzar e mjaft i ndërlikuar, ndaj i kërkoi qytetarëve rigorozitet, respekt, e vëmendje ndaj rregullave.
Top Channel