Gjermania njoftoi të dielën, më 28 shkurt, se udhëtarët që vijnë nga rajoni francez Moselle, do të përballen me kufizime shtesë, për shkak të rritjes së rasteve me koronavirus në këtë rajon. Masat e reja do të hyjnë në fuqi më 2 mars.
Agjencia për kontrollin e sëmundjes në Gjermani tha se ka shtuar Mosellen në listën e zonave, ku variantet e reja të koronavirusit po përhapen.
Në këtë listë janë edhe Republika Çeke, Portugalia dhe Mbretëria e Bashkuar. Udhëtarët nga këto vende duhet të paraqesin test negativ për koronavirus para se të hyjnë në Gjermani. Përjashtim nga ky rregull bëjnë vetëm shoferët e kamionëve dhe disa punëtorë kyçë.
Ashpërsimi i kufizimeve është kritikuar nga Komisioni Evropian, që e ka cilësuar si masë joproporcionale dhe ka thënë se nuk është në pajtim me një marrëveshje-kornizë të BE-së.
Në rajonin Moselle gjendet qyteti franzec Metz. Ai gjendet në kufi me Gjermaninë.
Ministri francez për Çështje Evropiane, Clement Beaune tha se Qeverisë franceze i vjen keq për këtë vendim të Gjermanisë.
Ai shtoi se Franca është në negociata që Gjermania të zbusë masat për 16.000 banorët e Moselle që punojnë në Gjermani. Në mënyrë specifike, ai tha se këta punëtorë francezë nuk duhet të përballen me teste ditore me metodën PCR, për të hyrë në Gjermani, duke thënë se do të ishte më e lehtë që këta persona të testoheshin në çdo dy apo tre ditë dhe jo përditë.
Top Channel