Koalicioni i udhëhequr nga Sauditët në Jemen tha të shtunën se ka rrëzuar një dron të mbushur me eksploziv të nisur nga rebelët Houthi drejt Arabisë Saudite.
“Forcat e koalicionit arritën të interceptojnë dhe të rrëzojnë dronin e ngarkuar me eksploziv të nisur nga milicia Houthi drejt qytetit Khamis Mushait” në Arabinë Saudite jugore, tha zëdhënësi i koalicionit, Koloneli Turki al-Maliki, në një deklaratë të cituar nga Agjencia Saudite e Lajmeve SPA.
Al-Maliki tha se shënjestrimi i rebelëve ndaj zonave civile përbën “krime lufte”.
Nuk ka asnjë koment nga grupi Houthi lidhur me raportimin.
Rebelët jemenas rregullisht ndërmarrin sulme me raketa dhe dronë në territoret saudite, duke thënë se ato janë si reagim ndaj sulmeve të koalicionit të udhëhequr nga sauditët ndaj Jemenit.
Të premten, koalicioni tha se kishte interceptuar dy sulme me dronë dhe raketa nga grupi Hothi në Arabinë Saudite.
Jemeni është shkatërruar nga një luftë e ashpër që kur grupi rebel Houthi i mbështetur nga Irani pushtoi pjesën më të madhe të vendit në vitin 2014, duke e rrëzuar qeverinë dhe duke e dërguar atë në ekzil, para se të kthehej në qytetin limanor Aden në vitin 2016.
Koalicioni i udhëhequr nga sauditët, i cili ka për qëllim rivendosjen e qeverisë së Jemenit, ka përkeqësuar situatën, duke shkaktuar një nga krizat më të rënda humanitare në botë me gati 80 për qind ose rreth 30 milionë njerëz që kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje humanitare dhe më shumë se 13 milionë në rrezik të vdekjes nga uria.
Top Channel