Presidenti i Shteteve të Bashkuara, i cili është gjithmonë i shoqëruar nga një ndihmës ushtarak që mban një çantë që ka brenda kodet për armët bërthamore, ka autoritetin e vetëm të urdhërojë një sulm bërthamor ose t’i përgjigjet armikut ndaj një sulmi të tillë.
Por ligjvënësit e partisë demokrate po i kërkojnë Presidentit Joe Biden të heqë dorë nga ky pushtet i njëanshëm.
Sipas një letre të miratuar nga 31 ligjvënës demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve, dhënia e një autoriteti të tillë një personi “mbart rreziqe reale”. “Presidentët e kaluar kanë kërcënuar të sulmojnë vendet e tjera me armë bërthamore ose kanë hasur në sjellje që i ka bërë zyrtarët e tjerë të shprehin shqetësime në lidhje me gjykimin e presidentit”, thotë Zëri i Amerikës.
Letra, e hartuar nga ligjvënësit Jimmy Panetta dhe Ted Lieu, të dy nga Kalifornia, bën thirrje që zyrtarë të tillë si zëvendëspresidenti dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, të pajtohen me një urdhër të tillë përpara se ai të ndërmerret. “Kolegët e mi dhe unë po kërkojmë një rishikim të drejtpërdrejtë të strukturës së komandës dhe kontrollit bërthamor të vendit tonë për të përcaktuar se si mund të kemi një autoritet më të sigurt të lëshimit të armëve bërthamore, për të mos rrezikuar dhe për të rritur dhe forcuar sigurinë tonë kombëtare”, tha Panetta.
Letra, e dërguar Shtëpisë së Bardhë, “propozon disa alternativa të tjera kundrejt asaj që presidenti të ketë autoritetin e vetëm, të pakontrolluar dhe përfundimtar për të urdhëruar përdorimin e armëve bërthamore.
Top Channel