Një zyrtar i milicisë irakiane tha të premten se sulmi ajror amerikan në Siri shënjestroi objekte që i përkisnin një grupi të armatosur irakian të mbështetur nga iranianët, duke vrarë një nga milicët e tyre dhe duke plagosur disa të tjerë. Pentagoni tha se sulmi u ndërmor si përgjigje ndaj një sulmi me raketa në Irak në fillim të këtij muaji, gjatë të cilit u vra një kontraktor civil dhe u plagos një anëtar i shërbimit ushtarak amerikan si dhe pjesëtarë të trupave të tjera të koalicionit.
Zyrtari i milicisë irakiane tha për agjencinë “Associated Press” se gjatë sulmit amerikan kundër “Kataeb Hezbollahut”, ose “Brigadave Hezbollah”, u godit një zonë përgjatë kufirit siriano-irakian. (“Kataeb Hezbollahu”, është një grup paraushtarak irakian shiit, pjesë e Forcave të Mobilizimit Popullor që mbështetet nga Irani).
Zyrtari foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar. Grupet që mbikëqyrin luftën në Siri thanë se gjatë sulmit ajror u goditën kamionë me armë që ishin nisur drejt një baze të milicisë së mbështetur nga Irani në Boukamal.
“Jam i sigurt rreth objektivit që vumë në shënjestër, ne e dimë se çfarë kemi goditur“, u tha Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin gazetarëve që udhëtonin me të nga Kalifornia drejt Uashingtonit, menjëherë pas sulmit ajror, që u krye të enjten në mbrëmje.
Ky sulm është veprimi i parë ushtarak i ndërmarrë nga administrata e zotit Biden, e cila në javët e saj të para ka theksuar synimin për t’u përqendruar më shumë në sfidat që paraqet Kina, edhe pse kërcënimet në Lindjen e Mesme vazhdojnë. Vendimi i zotit Biden për të sulmuar në Siri nuk duket se sinjalizon qëllimin për të zgjeruar përfshirjen ushtarake të SHBA-së në rajon, por më tepër për të demonstruar vullnetin për të mbrojtur trupat amerikane në Irak.
Në të kaluarën Shtetet e Bashkuara kanë shënjestruar objekte në Siri që i përkasin “Kataeb Hezbollahut”, të cilin e ka fajësuar për sulme të shumta ndaj personelit dhe interesave amerikane në Irak. “Kataebi” irakian është i ndarë nga lëvizja libaneze “Hezbollah”./VOA/
Top Channel