Grupi terrorist, Shteti Islamik, duket se po shfrytëzon boshllëqet e sigurisë gjithandej Sirisë dhe Irakut për të ripozicionuar forcat e tij dhe për të nxitur shtimin e dhunës.
Zyrtarë të forcave të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara në Sirinë verilindore, i thanë Zërit të Amerikës se shtimi i dhunës kohëve të fundit në gjithë rajonin, duke përfshirë sulmet ndaj nëpunësve civilë dhe vrasjet në stilin e ekzekutimit në kampin e personave të zhvendosur al-Hol, janë të lidhura me një valë operativësh nga zona që formalisht janë nën kontrollin e presidentit sirian, Bashar al-Asad, si dhe nga Iraku fqinj.
Vlerësimi i partnerëve të Shteteve te Bashkuara në terren është në përputhje me gjetjet e vetë Uashingtonit në muajt e fundit, që paralajmërojnë se luftëtarët dhe operativët e IS-it gëzojnë lirinë e lëvizjes në pjesën më të madhe të Sirisë, ndërsa gjejnë mënyra për të përshtatur mjedisin në interes të grupit terrorist.
“ISIS (Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë) nuk ka marrë fund ende”, i tha shërbimit kurd të Zërit të Amerikës, Mazloum Abdi, komandanti i përgjithshëm i Forcave Demokratike Siriane (SDF) të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara.
SDF-ja është përgjigjur me një fushatë, duke shfrytëzuar mbështetjen ajrore dhe të dhënat e zbulimit të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të gjetur dhe eliminuar luftëtarët e IS-it.
Komandanti Abdi i tha Zërit të Amerikës se operacionet kanë çuar në një numër arrestimesh.
Një celulë e IS-it, e fajësuar për rrëmbimin dhe ekzekutimin me prerje koke të dy grave që punonin për Administratën Autonome të Sirisë Veriore dhe Lindore të lidhur me SDF-në, pothuajse është zhdukur, tha ai. Personeli i SDF-së vrau katër prej sulmuesve të dyshuar dhe arrestoi të pestin, megjithëse një tjetër arriti të arratisej.
Megjithatë, Abdi paralajmëroi se edhe suksese të tilla të SDF-së nuk kanë bërë shumë për të penguar IS-in.
“Ai i ka shtuar sulmet”, tha ai. “Organizata terroriste po përpiqet të ringjallet”.
Përpjekjet e mëhershme për të çrrënjosur IS-in në disa nga zonat e nxehta, të tilla si në shkretëtirën Badiyah përgjatë kufirit Siri-Irak, gjithashtu me sa duket kanë arritur të bëjnë pak më shumë sesa të mbajnë të bllokuar luftëtarët e IS-it pas pohimeve të mëhershme për sukses.
Abdi inkurajon forcat amerikane dhe të koalicionit për të ndihmuar SDF-në që të mbajë një ritëm të qëndrueshëm të operacioneve kundër IS-it dhe për të bërë më shumë për të mbështetur qeveritë lokale.
“Nëse ata ofrojnë mbështetje për administratën civile në rajonin tonë, ne mund të ndjekim një fushatë më të frytshme kundër ISIS-it”, tha ai.
Por, ka mëdyshje nëse një mbështetje e tillë do të jetë e mjaftueshme, duke pasur parasysh aftësinë e IS-it për të shfrytëzuar një bazë të gjerë të mbështetjes në kampet e personave të zhvendosur, si në al-Hol.
Sipas Këshillit Demokratik Sirian (SDC), krahu politik i SDF-së, kampi al-Hol ishte skenë e më shumë se 23 vrasjeve që nga janari, shumica e tyre të lidhura me IS-in.
“Shumica e të vrarëve janë irakianë, sepse ata po punojnë me forcat e sigurisë brenda kampit,” i tha Zërit të Amerikës Sinam Mohamad, përfaqësuese e SDC-së në SHBA.
Dhe njëlloj sikurse me celulat e IS-it që veprojnë jashtë kampit al-Hol, një seri arrestimesh brenda kampit kanë bërë pak për të penguar aktivitetin e IS-it.
“Ky është një kamp shumë i rrezikshëm. Ka njerëz shumë të rrezikshëm që jetojnë atje”, tha zonja Mohamad. “Ata i ndihmojnë këto celula ‘të fjetura’ dhe i mbështesin ato”.
Sinam Mohamad dhe zyrtarë të tjerë thonë se pjesë të kampit në thelb po drejtohen nga gratë dhe të afërmet e luftëtarëve të IS-it, të cilat kanë formuar këshillat Hisbah, që zbatojnë urdhëresat fetare të IS-it.
Këta zyrtarë pretendojnë se të dhënat e zbulimit të mbledhura nga ata që janë arrestuar si pjesë e spastrimeve në al-Hol tregojnë se mbështetësit e IS-it brenda kampit po marrin udhëzime nga celulat e tij që kanë depërtuar në zonë.
Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se para dhe armë gjithashtu janë futur në kamp, gjë që tani shihet nga mbështetësit e IS-it jo vetëm si një mbetje e kalifatit fizik të grupit terrorist, por si një qendër e re operacionesh.
Zyrtarë të tjerë amerikanë po ngrenë shqetësime se al-Hol dhe kampe si ai po bëhen pjesë e të ashtuquajturit “skenar i ditës së gjykimit”, duke shërbyer si inkubatorë aktivë për gjeneratën e ardhshme të IS-it.
“Është një problem i madh,” tha të mërkurën në një konferencë virtuale John Godfrey, ushtrues detyre i bashkërenduesit të Departamentit të Shtetit për luftën kundër terrorizmit. “Ne kemi parë incidente të radikalizimit të fëmijëve të moshës 10 dhe 11 vjeç”.
Sinam Mohamad e SDC-së, i tha Zërit të Amerikës se situata për fëmijët në al-Hol është, në rastin më të mirë, e pasigurt.
“Kemi frikë për këta fëmijë që janë me nënat e tyre”. tha ajo. “Ata po i ushqejnë ata me këtë ideologji ekstremiste dhe ne nuk e dimë se çfarë do të bëhet”.
Top Channel