Vodhi “Benz-in” në Suedi dhe po vinte në Shqipëri/ 23-vjeçari kapet në pikën kufitare të Morinës

25/02/2021 14:25

Një shqiptar që jetonte në Suedi u arrestua sot nga policia, në pikën kufutare të Morinës pasi makina me të cilën udhëtonte ishte e vjedhur.

23-vjeçari me iniciale A.A ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Suedia për vjedhje. Policia sekuestroi mjetin tip “Benz” ndërkohë që prokuroria ka nisur hetimet.

Njoftimi i policisë:                                              Vihet në pranga 1 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Kukës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Morinë, në zbatim të planit të masave për goditjen e trafikimit të mjeteve motorike, arrestuan në flagrancë shtetasin A. A., 23 vjeç, banues në Suedi.

Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, gjatë regjistrimit dhe verifikimit në sistem, mjeti tip “Benz” që drejtohej nga shtetasi A. A. rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Suedia, pasi ishte vjedhur në Suedi.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti tip “Benz”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA