Sondazhi i Top Channel dhe IPSOS/ Cilat janë 3 problemet më të mëdha të qytetarëve

Top Channel në bashkëpunim me gjigantin botëror të sondazheve, kompaninë IPSOS, publikon të dhënat e sondazhit për zgjedhjet e 25 Prillit në emisionin “Open” drejtuar nga gazetarja Eni Vasili.

Në sondazhin e kryer nga periudha 10 deri më 16 shkurt të këtij viti janë intervistuar 1.527 qytetarë mbi 18 vjeç në 12 qarqet e vendit dhe kemi dalë në përfundim se ekonomia, papunësia dhe pandemia e Covid-19 janë problemet më të mëdha të shqiptarëve.

Oliviero Marchese, drejtori i Përgjithshëm i Kërkimeve Elektorale, IPSOS në një lidhje me skype në “Open” në lidhje me këtë sondazh tha se keqqeverisja nuk ka qenë, pasi nuk është konsideruar një nga tre problemet e para.

“Kontradikta është vetëm në pamje të parë, pyetjet ishin spontane dhe këto janë problematikat që vijnë menjëherë në mendje, pra janë problematikat e para dhe ndër të tjera mund të jepeshin vetëm 3 përgjigje. Sigurisht që 3 problemet e para janë cituar nga përqindjet që keni parë. Keqqeverisja nuk ka qenë, nuk është konsideruar një nga tre problemet e para”, tha ai.

Qytetarët mendojnë se tre problemet më të rëndësishme me të cilat po përballet Shqipëria për momentin është kriza ekonomike (41%), papunësia (36%) dhe pandemia nga Covid-19 (22%).

Më pas vijon me shëndetësinë (22%), korrupsionin 17%, pensione të ulëta/rroga të ulëta (13%), arsimi (11%), infrastruktura (10%), standardet e ulëta të jetesës/varfëria 9%, emigrimi/ikja e të rinjve (8%), drejtësia/mungesa e rregullit të ligjit (7%), çmime të larta/taksa të larta (6%), situata politike/politikanët (6%), krimi/siguria (5%), shërbimet komunale (uji,dritat) 4%, tërmeti/rindërtimi pas tërmetit (3%), keqqeverisja (2%).

Ndërsa 15% e të anketuarve përmendën probleme të tjera dhe 5% e tyre refuzuan të përgjigjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA