Presidenti kinez Xi Jinping ka folur me mburrje për “fitoren e plotë” në përpjekjet për të zhdukur varfërinë ekstreme, dhe duke thënë se vendi i tij ka arritur një “mrekulli njerëzore”, ndonëse shumë pikëpyetje rrethojnë kriteret e regjimit komunist për një pretendim të tillë.
Në një ceremoni festive, Xi ka shpërndarë medalje për zyrtarët nga komunitetet rurale dhe ka premtuar se do të shpërndajë “shembullin kinez” me kombet tjera të zhvilluara.
“Asnjë shtet nuk mund të largojë qindra miliona njerëz nga varfëria për një kohë kaq të shkurtër. Një mrekulli njerëzore është krijuar, e cila do të mbetet në histori”.
Xi Jinping kishte premtuar se varfëria ekstreme do të zhdukej deri në 2020-ën, me qëllim krijimin e një shoqërie të përparuar në 100 vjetorin e krijimit të partisë, që shënohet në korrik të këtij viti. Në 2020-ën, Pekini tha se kishte arritur objektivin e largimit të njerëzve mbi linjën e varfërisë me të ardhura prej 2.30 dollarësh në ditë. Kjo shifër është pak mbi shifrën më të ulët të përcaktuar nga Banka Botërore – 1.90 dollarë – mirëpo është nën shumën që rekomandohet për shtetet me të ardhura të mëdha.
Banka Botërore ka thënë se Kina ka larguar mbi 800 milionë persona nga varfëria ekstreme, prej kur u është kthyer reformave të tregut në vitet 1970, pas dekadave kur ky shtet është bazuar në planifikime shtetërore, të cilat kanë ngufatur ekonominë e shtetit komunist. Por tani, presidenti kinez, shkon akoma më larg duke thënë se Pekini po ndihmon edhe vendet në zhvillim, që ende përballen me varfërinë.
Top Channel