William Burns, i emëruari i presidentit Joe Biden për të drejtuar agjencinë kryesore të zbulimit të vendit, e konsideron konkurrencën nga Pekini si “provën më të madhe gjeopolitike me të cilën përballemi”.
Shtetet e Bashkuara duhet të trajnojnë agjentët dhe analistët e tyre të zbulimit mbi kërcënimin në rritje nga Kina, u tha ai ligjvënësve. Ish diplomati i karrierës që ka shërbyer në Rusi dhe Lindjen e Mesme, e ndau këtë vlerësim me anëtarët e Komisionit të Senatit për Zbulimin në seancën për konfirmimin e tij në postin e Drejtorit të Agjencinë Qendrore të Zbulimit (CIA), duke paralajmëruar më tej se kjo epokë e re e konkurrencës në rritje me Pekinin mund të jetë si asnjë tjetër në historinë e SHBA-së.
William Burns: “Aftësia konkurruese e Kinës do të jetë thelbësore për sigurinë tonë kombëtare në dekadat e ardhshme. Evolucioni i Kinës së Presidentit Xi Jinping gjatë gjashtë apo shtatë viteve të fundit ka qenë një këmbanë alarmi shumë e fortë. Është një lloj ambicieje dhe vendosmërie agresive, e hapur, që mendoj se e ka bërë shumë të qartë natyrën e kundërshtarit dhe rivalit me të cilin përballemi.”
Nëse konfirmohet, 64-vjeçari Burns do të bëhej diplomati i parë i karrierës që drejton CIA-n. Ai u tha ligjvënësve se përvoja e tij e punës me agjencinë e zbulimit ndërsa ishte në Departamentin e Shtetit e bëri të vlerësojë atë që bëjnë oficerët dhe analistët e saj.
Top Channel