Dhunohet gazetari në Prishtinë/ Visar Duriqi sulmohet nga persona të maskuar përpara shtëpisë

25/02/2021 15:29

Komuniteti i gazetarëve në Kosovë është tronditur nga sulmi ndaj kolegut të tyre Visar Duriqi.

Gazetari i njohur investigativ është sulmuar në mesnatë para shtëpisë së tij. Tre persona të maskuar i thyen dhëmbët dhe hundën. policia nuk ka ende dijeni për autorët por ka hapur hetime. Vetë Duriqi ka thënë se ai kërcënohet për punën e tij që prej vitit 2014.

“Ata qe e kane porositur këtë sulm e qe për momentin ende nuk i di se kush janë, duhet ta dijne qe nje hunde dhe disa dhembe te thyer nuk eshte se na frikesojne. Pas stabilizimit te gjendjes shendetesore kthehemi aty ku e kemi lënë për të raportuar njejte si me heret. Sikur nuk ka ndodhur asgje”, ka shkruar Duriqi në facebook.

Gazetarit i Insajderit dhe autorit të emisionit Indoks ka realizuar një seri emisionesh investiguese duke ekspozuar raste krimi dhe korrupsioni.Sulmi ndaj tij është kryer në hyrje të banesës në Fushë Kosovë pas një debati televiziv.

Gazetari ka marrë ndihmën e parë në spital. Komuniteti i gazetarëve në Kosovë e ka dënuar këtë ngjarje, dhe reagime ka pasur jo vetëm nga asosacioni i tyre por edhe nga faktorë të tjerë në Kosovë. Instituti i Kosovës për Drejtësi e sheh këtë sulm si përpjekje e drejtpërdrejtë për kufizim të lirisë së fjalës që kanë për qëllim frikësimin e gazetarëve dhe të shoqërisë për të shprehur mendimin lirshëm.

Top Channel