I vunë tritol në makinë biznesmenit Gjon Mena në Kamëz, arrestohen tre persona. Njëri prej tyre i njohur në botën e krimit!

24/02/2021 19:05

Zbardhet ngjarja e ndodhur në Kamzë në 9 shkurt, ku iu vu tritol në makinë biznesmenit Gjon Mena, i cili mbeti i lënduar në këmbë.

Policia ka vënë në pranga 3 persona si autorë të dyshuar të ngjarjes.

Kështu, janë arrestuar shtetasi Gjergj Cukali dhe dy vëllezër, shtetasit Ermond Jakimi 24 dhe Enver Jakimi 33 vjec, lindur dhe banues në Tiranë.

Gjergj Cukali është një personazh mjaft i njohur në botën e krimit dhe është shpallur subjekt i OFL.

Top Channel ka raportuar dhe më herët për Cukalin. Në vitin 2004, ai ka qenë i akuzuar për pengmarrje.

I dënuar për pengmarrje

Më 24 nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Gjergji Cukalin me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit F.D., ngjarje e ndodhur në vitin 2004.

Arrestimi në 2016

Ndërkohë në korrik të 2016, ai u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Tangent”, ku Cukali ishte drejtuesi i një rrjeti të shpërndarjes së kokainës.

Atë kohë u proceduan penalisht 7 persona, ndërsa 9 të tjerë u arrestuan. Të arrestuarit ishin shtetas nga disa qytete të Shqipërisë, por edhe nga Kosova. Ndër ta kishte edhe të dënuar më herët për vepra të rënda penale.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin anëtarët e grupit dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike kokainë në zona të ndryshme të Tiranës si “Myslym Shyri”, ish-Blloku, sheshi “Willson”, në rrugën “Ali Demi”, në zonën e Porcelanit dhe në rrugën e Elbasanit.

Përmes veprimeve procedurale dhe duke përdorur metoda speciale, Policia e Tiranës kishte dokumentuar aktivitetin kriminal të këtij grupi. Hetimet patën provuar se shtetasit e arrestuar e siguronin lëndën narkotike përmes Gjergji Cukalit dhe më pas e shpërndanin, sipas porosive të marra nga klientët.

Trafikantit i zbulohet identiteti tjetër

Gjergji Cukali, i njohur si “i forti i Myslym Shyrit”, kishte edhe një identitet tjetër, gjë që iu zbulua menjëherë pas arrestimit në vitin 2016. Atë kohë Top Chanel ka siguruar dokumentet e falsifikuara me identitetin Ergi Hoxha. Pasaporta biometrike, karta e identitetit dhe patenta me të njëjtin emër, iu sekuestruan nga policia, e cila ndaj Cukalit kishte ngritur edhe akuzën e falsifikimit të dokumenteve.
Sëmundja që e dërgoi nga burgu në shtëpi

Pas një viti qëndrimi në burg, Gjergji Cukali sërish arrin që të dalë. Një vendim i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që mban datën 24 Maj 2017, i dha lirinë Gjergji Cukalit duke vendosur masë sigurie “arrest shtëpie”. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë argumenton se u vendos që Gjergji Cukali të qëndrojë në “arrest shtëpie” për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Rezulton se “i forti i Myslym Shyrit” vuante nga astma bronkiale dhe kishte kriza të shpeshta.

“Për këtë arsye,- thotë Gjykata e Lartë, -Gjergji Cukali nuk mund të mjekohet në Institutin e Kujdesit të Veçantë Shëndetësor të të burgosurve Tiranë. Qëndrimi në burg i vë jetën në rrezik”. Nisur nga ky raport mjekësor, Gjykata e Lartë vendosi të rrëzojë dy masat e sigurisë “arrest me burg” të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe të Apelit Tiranë, duke vendosur “arrest shtëpie”, si masë më të përshtatshme duke parë gjendjen e të pandehurit.

Arrestimi i tij në vitin 2018

Gjergj Cukali nuk qëndron dot larg telasheve. Në vitin 2018 arrestohet sërish për thyerjen e masës së sigurisë. 40-vjeçari “i dënuar me masën e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, është kapur në flagrancë larg banesës së tij pasi kishte shkelur vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë”, njoftonte atë kohë policia e Tiranës.

Arrestimi në maj të 2019.

Policia e Tiranës njoftoi se ka bërë të mundur arrestimin e Gjergj Cukalit, ku është akuzuar për një vepër të rëndë penale, atë të vrasjes me paramendim. Hetuesit pretendojnë se kanë prova të forta që vërtetojnë përfshirjen e tij në vrasjen e ish-efektivit të policisë Arben Bilali me 30 janar 2019.

Si ndodhi ngjarja më 9 shkurt

Gjon Mena, sapo doli nga shtëpia e tij për të hapur makinën me pult, automjeti shpërthen  nga krahu i shoferi dhe ai mbetet i plagosur lehtë në këmbë. Ai u  dërgua menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.

35-vjeçari me origjinë nga Mirdita, me herët ka mbajtur emrin Altin Xhuxha. Ai rezulton një person me rekorde kriminale brenda dhe jashtë vendit. Mena, ka jetuar në Francë dhe Itali, ku është dënuar për vjedhje me armë dhe me dhunë, ndërsa në vendin tonë, ai ka qenë i dënuar për armëmbajtje pa leje.

Dyshimet paraprake te grupit hetimor ishin për konfliktet që i plagosuri nga shpërthimi në makinën e tij, të ketë pasur me të tjerë së fundmi.

Njoftimi i policisë/ Tiranë

Zbardhet ngjarja e ndodhur në Kamzë me eksploziv ku për pasojë mbeti i gjymtuar një shtetas.

Finalizohet me sukses OPERACIONI POLICOR “SATELITI”

Operacioni nga Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Forcën Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë

Kapen dhe vihen në pranga tre shtetas si autorë të dyshuar të ngjarjes.

Pas një pune policore dhe proceduriale të pandërprerë të bërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i plotë ligjor i ngjarjes së ndodhur në datë 09.02.2021, ku në rrugën “Silvio Berluskoni”, Kamëz, Tiranë, është tentuar të vritet me ekspoloziv të telekomanduar, shtetasi Gj.M,, i cili si pasojë e shpërthimit ka ngelur i dëmtuar në gjymtyrë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Bazuar në provat ligjore të siguruara nga puna hetimore dhe veprimeve të shpejta hetimore proçeduriale si dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative në lidhje me këtë ngjarje, nga Sektori Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Sektori Forcës së Posaçme Operacionale në D.V.P Tiranë në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Nr.5, Nr.2 dhe Nr.4, Tiranë, Sektori Forcës Posaçme Operacionale dhe Sektori Forcës Posaçme Operacionale për mbështetjen hetimore/kërkimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u finalizua me sukses OPERACIONI POLICOR “SATELITI”.

Në përfundim të veprimeve të para nga ana e specialistëve të Seksionit Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, u bë arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje:

Gj.C, 42 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale të ‘Rëmbim personi’ ‘Vrasje me paramendim’, ‘Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike’ dhe ‘Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake’.

E. J, 33 vjec, dhe E. J, 24 vjec, lindur dhe banues në Tiranë..

Nga grupi hetimor i ngritur posaçërisht për hetimin e kësaj ngjarje, janë sekuestruar prova materiale, si automjete dhe sende të tjera, të cilat kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale dhe implikojnë drejtëpërdrejtë autorët e saj, prova të cilat për shkak të sekretit hetimor nuk bëhen të ditura në këtë moment.

Materialet në ngarkim të shtetasve Gj.C, E. J. dhe E. J. i dërgohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësore Tiranë, për veprat penale të ”Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë,e kryer në bashkëpunim, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA