“Na lini të punojmë”/ Kolegu i tij u dhunua dy ditë më parë në QSUT, drejtori i sëmundjeve të brendshme: S’e dini sa na dhemb kur humbim një pacient

23/02/2021 20:39

Pas dhunës që iu ushtrua dy ditë më parë mjekut Petrit Gjorgji nga një i afërm i pacientit të shtruar në spital vjen edhe reagimi i drejtorit të Urgjencës Polivalente të Sëmundjeve të Brendshme, Eqerem Hasani.

Përmes një postimi në rrjete sociale ai shpreh keqardhje për këtë ngjarje dhe shkruan se nuk është hera e parë që goditet një mjek në krye të detyrës.

Hasani përmes këtij postimi i kërkon qytetarëve që ti lejnë bluzat e bardha të punojnë pasi janë në luftë me armikun e padukshëm.

“Nuk lejojmë askënd të na bëjë pis në këtë drejtim. Nuk do kërkoja më shumë llogari autoreve të komenteve të tilla por një gjë ju kërkoj: Denonconi një rast të vetëm kur ju është ofruar shërbimi në këtë Urgjencë pacientëve kundrejt kërkesës për para. Atëherë nëse jo, MJAFT MË! Nëse nuk keni një mesazh për qindra jetë të shpëtuara, na lini të punojmë. Ne jemi aty për shëndetin tuaj, jemi aty për ata që besojnë tek NE!”, shkruan ai.

Postimi i plotë:

Para 2 ditëve, një mjek i respektuar i Urgjencës Polivalente të Semundjeve të Brendeshme të QSUNT që unë drejtoj, u godit gjatē kohës që ishte në shërbim. Ai është një nga ne, mjek i respektuar, me autoritet profesional dhe me një përgjegjesi civile ndaj çdo pacienti të çdo lloj shtrese pa asnjë dallim. Keqardhje për çfarë ndodhi.! Fatkeqsisht nuk është e para herë që një mjek goditet në krye të detyrës. Lajmi u dha nga të gjithë stacionet dhe u përhap në të gjithë mediat sociale.Asgjë për tu çuditur deri këtu. Shumë shpejt, bashkë me lajmin, filloi linçimi për mjekun e goditur dhe për mjekët në përgjithësi. Fjalet më të ulta, më të pabesueshme, më te ndyra, më kërcenueset, më denigrueset lexohen nga shume komente në drejtim të ne, bluzave të bardha. O Zot…! Ku po shkojmë kështu?! Sipas cilës logjike mund të imagjinohet që mjeku është armiku i këtij populli?!
Që prej një viti dalim nga shtëpite në mëngjes herët pa llogaritur orarin se kur do kthehemi. Jemi në lufte me një armik të padukshëm, në një betejë të vërtetë. Stafi i Urgjencës përballet çdo ditë, i rrezikuar, me qindra paciente me Covid, Post Covid, me pathollogji jashtezakonisht të rënduara, sëmundje akute koronare, vdekje klinike, semundje akute renale, semundje të diabetit të dala jashtë kontrollit si dhe semundje multiorganor qe vijnë nga gjithë republika. Kjo është panorama e çdo dite të zakonshme sot në Urgjence.Pikërisht në këtë shërbim merr kthesë jeta e këtyre pacientëve në drejtim të permirësimit të tyre vetëm e vetëm nga puna, dijet e mbi të gjitha përkushtimi i këtij stafi. Eh sikur ta dini se sa mirënjohje e falenderime marrim.! Eh sikur ta dini sa brengë dhe trishtim ndjejmë kur ndonje pacient nuk arrijme dot ta mbajmë në jetë. Sa keqardhje…Ah sikur të vinte pak më herët.!!!
Sigurisht jo gjithçka është perfeksion. Kemi edhe ne vështirësitë tona. Por kurrë dhe në asnjë moment këto vështiresi nuk i lëmë të bëhen faktor per rrezikimin e jetës pacientëve.
Nga disa komente jemi të lënduar vërtetë thellësisht për të pa vërteta që shkruhen.
Por si drejtues i atij shërbimi, do ta deklaroj pa mëdyshjen absolute, se që nga i pari deri tek i fundit qoftë mjek, infermier, sanitar, barrelambajtës, recepsionist, nuk kryen asnjë shërbim ndaj pacientëve mbi bazë pazaresh siç aludohet aty. Nuk lejojmë askënd të na bëjë pis në këtë drejtim. Nuk do kërkoja më shumë llogari autoreve të komenteve të tilla por një gjë ju kërkoj: Denonconi një rast të vetëm kur ju është ofruar shërbimi në këtë Urgjencë pacientëve kundrejt kërkesës për para.
Atëhere nëse jo, MJAFT MË!. Nëse nuk keni një mesazh për qindra jetë të shpëtuara, na lini të punojmë. Ne jemi aty per shëndetin tuaj, jemi aty për ata që besojnë tek NE!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA