Nuk e lë në dorë të BE-së/ Analistët: SHBA do të kërkojë angazhim në dialog

22/02/2021 22:15

Në Shtetet e Bashkuara dy ekspertë me përvojë të politikës së jashtme dhe të Ballkanit, thanë për Zërin e Amerikës se zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë është e rëndësishme për të ardhmen e tyre dhe të rajonit.

Komentet e tyre vijnë pasi kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha pas fitores së partisë së tij, se bisedimet me Serbinë nuk do të ishin përparësi në një qeveri të drejtuar prej tij, krahasuar me problemet e brendshme. Ish-ambasadori Frank Wisner dhe studiuesi i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, Charles Kupchan thanë për Zërin e Amerikës se angazhimi për zgjidhjen e kësaj çështjeje, do të jetë pjesë e rigjallërimit të rolit të administratës së Presidentit Biden në Ballkan.

Kupchan u shpreh se Vuçiç dhe Kurti, mund të mbajnë qëndrime të ashpra sepse ato funksionojnë politikisht, por shton se ai beson se do të ketë presion nga nga Europa dhe nga Uashingtoni për të ecur përpara.

“Mendoj se si Kurti edhe Vuçiç duhet të jenë të përgatitur që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre evropianë t’u thonë se është koha të rikthehen (në negociata) dhe të bëjnë përparim në marrëdhëniet politike”, thotë ai.

Ambasador Wisner bie dakord. “Të jeni të sigurt se Shtetet e Bashkuara do të argumentojnë në Bruksel, në Prishtinë dhe në Beograd se mosmarrëveshjet e së kaluarës duhen kapërcyer në bazë të respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë për sovranitetin e tjetrit, integritetit territorial.

Ne shpresojmë që rezultati të jetë që Prishtinë dhe Beogradi të arrijnë një marrëveshje dhe që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës dhe të bashkëjetojë në paqe me Kosovën”, thotë ai duke shtuar se një nga arsyet që mund të jetë një moment inkurajues për zgjidhjen e problemeve të mbetura në Ballkan, është theksi që Biden i ka vënë aleancave tradicionale.

Top Channel