Kosovë/ Klinika Infektive e mbushur plot me pacientë, 70% e tyre me oksigjen

22/02/2021 13:36

Ndonëse ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj mëngjes e sotëm deklaroi se situata me COVID-19 në Kosovë është nën kontroll dhe nuk ka nevojë për alarm, në Klinikën Infektive thonë se tashmë kapacitetet spitalore janë të mbushura me pacientë të infektuar me koronavirus.

Aktualisht në këtë klinikë janë të shtrirë 90 pacientë me koronavirus dhe rreth 70 për qind e tyre janë me oksigjenoterapi. Kështu ka njoftuar për KosovaPress infektologu, Izet Sadiku i cili tha se në mjekimin intensiv gjithmonë ndodhen 4 deri 5 pacientë.

“Faktikisht ne i kemi kapacitetet e mbushura me pacientë me COVID, i kemi 90 pacientë, por është e mbushur për arsye se në një repart është duke u bërë vendosja e oksigjenit qendror që do të jetë një ndihmesë shumë e madhe për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Ndërsa, repartet e tjera që janë në dispozicion 90 shtretër të gjithë i kemi të mbushur me pacientë prej të cilëve 60 deri 70 për qind e tyre janë me oksigjenoterapi dhe faktikisht Klinika Infektive vazhdimisht është e mbushur me pacientë. I kemi disa (pacientë) në mjekimin intensiv, zakonisht 4 deri 5 pacientë janë në gjendje të rëndë, por edhe këta që janë në reparte që janë me oksigjenoterapi janë pacientë që potencialisht në çdo moment mund t’iu keqësohet gjendja e tyre”, theksoi ai.

Sadiku thotë se ditëve të fundit është vërejtur një rritje e lehtë e rasteve si pasojë e lirimit të masave që u bënë javë më parë.

Infektologu i Klinikës Infektive beson se nuk do ketë rritje të lartë të rasteve me koronavirus.

“Ne kemi parë një rritje të lehtë të rasteve këtë javë, sigurisht kjo është si pasojë që tek ne janë të liruara të gjitha masat, kemi pastaj numër apo lëvizje që ka pasur gjatë fushatës por kjo çështje do vërehet edhe këtë javë. Por ky numër nuk është shumë i madh në krahasim me masat e liruara që janë, por ndikimi i fushatës do vërehet edhe këtë javë. Unë besoj që deri tash kemi pasur (rritje të rasteve), por shpresat janë që do kemi një rritje të vogël, jo rritje shumë e madhe”, deklaroi Sadiku.

Lidhur me variantet e reja që tashmë janë përhapur nëpër vende të ndryshme të botës, Sadiku thotë se përveç 3 rasteve që ishin raportuar në janar, më nuk kanë pasur ndonjë rast të dyshimtë.

“Tre pacientët nuk kanë pasur ndonjë specifikacion të veçantë klinik që kemi mundur t’i dallojmë këta pacientë nga pacientët e tjerë, në fillim nuk kemi mundur. Ajo që është lajmëruar deri tani është se variantet e reja kanë një shkallë më të shpejt të përhapjes por nuk ende dihet se a kanë forma më të rënda klinike apo jo. Sigurisht që mund të ketë numër më të madh, por ky test tek ne nuk bëhet dhe për t’u bërë testi duhet të dërgohet jashtë Kosovës. Ne në momentin kur kemi raste të dyshimta e njoftojmë Institutin dhe ata pastaj i dërgojnë mostrat. Nuk kemi pasur ndonjë rast (tjetër) të veçantë që kemi dyshuar”, tha Sadiku.

Ndonëse, tashmë po bëhen gati 1 vit prej kur vendi regjistroi rastet e para me koronavirus, pacientëve që u përshkruhet për trajtim ilaçi antiviral Remdesiviri duhet të sigurohet nga vetë ata.

“Kemi mungesa të herëpashershme, zakonisht ajo që është prej barnave antivirale si Favipiraviri e kemi vazhdimisht, ndërsa remdesiviri mungon dhe vazhdon të blihet nga qytetarët”, theksoi ai.

Në 24 orët e fundit me koronavirus janë regjistruar 398 persona, ndërsa betejën me këtë sëmundje e ka humbur një 39-vjeçar nga Drenasi. E përkundër këtyre shifrave Kosova ende nuk ka siguruar vaksinën anti-COVID derisa në të gjitha vendet e rajonit ka filluar shpërndarja e saj./KosovaPress/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA