“Hotelet ishin plot”, Rama flet për turizmin në kohë pandemie: Operatori turistik më tha që sezoni nuk ishte me humbje

19/02/2021 10:39

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me qytetarët në Vlorë, ku foli dhe për ndikimin e pandemisë në sektorin e turizmit.

Ai u shpreh se një operator turistik i ka konfirmuar që sezoni i kaluar nuk ka pasur humbje. Rama theksoi se turizmin në Shqipëri e ka ndihmuar fakti që nuk u mbyll kufiri me Kosovën dhe hotelet ishin plot sepse shqiptarët nuk arritën të dilnin jashtë shtetit.

Edi Rama: Dje isha me një operator turistik dhe jashtë kamerave më konfirmoi atë që unë di, që sezoni i kaluar nuk ishte me humbje. Buzëqeshja jote ma konfirmon këtë gjë sepse në kamera nuk thuhen këto gjëra. Në kamera duhet përdorur koha për tu ankuar për qeverinë. Besoj që sektori i turizmit është një sektor që është realisht e ardhmja dhe potencial të jashtëzakonshëm dhe investimet në turizëm do të kthehen ndoshta më shumë se në çdo sektor tjetër për nga pikëpamja e shumëfishimit të tyre për investitorët.  

Sa i përket ndihmës direkte, besoj se e kemi bërë mjaftueshëm me TVSH 6%. Të gjithë thanë se Ministria e Turizmit duhet të mbyllet, por unë thashë jo sepse ankesat do shtohen sepse oreksi vjen duke ngrënë ndërsa pandemia ishte e frikshme, por lëvizja që bëmë duke mos mbyllur kufirin me Kosovën dhe shqiptarët nuk mundën të ikin jashtë, bëri që hotelet të jenë plot.

Nuk besoj që kur keni marrë lekët, ju janë dukur më pak se i kanë dhënë shqiptarët se nuk është se i ulët çmimet. Ky sezon ka qenë një provë domethënëse e faktit se sa shumë para shpenzohen nga shqiptarët e Shqipërisë për turizëm dhe përgjithësisht shkojnë jashtë.

Tjetra që e ka ndihmuar shumë sektorin ka qenë që shumë nga shqiptarët që janë mësuar të shkojnë në Itali, Spanjë, Greqi e Turqi, njohën Shqipërinë. Një pjesë njihnin Tiranë, Durrës, maksimumi deri në Vlorë.

Top Channel