Vaksinimi i të moshuarve në Shkodër/ Nga poezia deri tek vizita në varrin e prindërve. Ja çfarë do bëjnë nëse do të dalin nga izolimi

17/02/2021 11:07

Disa të moshuar kanë marrë dozën e parë të vaksinës anti Covid në qytetin e Shkodrës gjatë ditës së djeshme. Në total janë bërë rreth 46 vaksina, ku janë vaksinuar të moshuar dhe staf i personelit.

Gazetari i Top Channel, Klodian Zhivani ishte në një lidhje me skype për “Wake Up” gjatë ditës së sotme dhe intervistoi disa prej të moshuarve që qëndrojnë të izoluar në shtëpi prej një viti dhe u vaksinuan dje.

“E ndjej veten shumë në rregull. Asnjë dhimbje nuk kemi ndjerë. Na kanë qëndruar gati. Nuk kam pasur frikë. Atyre që kanë frikë i them të heqin zemrën e lepurit, të marrin të luanit”, tha Smajli, një prej të moshuarve, i cili ka shkruar poezi gjatë pandemisë.

Ai u shpreh se nëse do të dalë nga izolimit, do të përpiqet që të botojë një libër.

Ndërsa një tjetër grua që ndodhet në shtëpinë e të moshuarve u shpreh: “Me thënë të drejtën kam pasur shumë frikë për shkak të gjendjes shëndetësore, diagnozave që kam, kisha frikë ta bëj. Dhe pesha, hipertensioni ndikojnë dhe mendoja se do më bëjë keq. Pastaj pyeta njerëzit e mi dhe më thanë ta bëj. Nëse dal, do takoj disa njerëz të mi. Më ka marrë malli të shkoj tek varri i nënës dhe i babait.”

Edhe Maria ishte e frikësuar për shkak të rastit të Piperos, por doktoresha Silva Bino i sugjeroi që ta bëjnë. “Ka ardhur personeli, infermieret 3-4 herë të interesohen për ne. Kemi pasur vetëm pak dhimbje të krahut dhe asgjë tjetër. S’di kur po vjen koha të bëjmë dhe të dytën. Kam jetuar me burrin këtu. Ka 4 muaj që më ka vdekur. E para është që do të shkoj tek varri i tij. E dyta është që të takohem me njerëzit e mi.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA