Balluku shpreh ngushëllimet për elektriçistët që humbën jetën në Gjirokastër, kërkesa për OSHEE dhe OST: Të shpërblehen punonjësit

17/02/2021 12:15

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka shprehur ngushëllimet për familjet e dy elektriçistëve, të cilët humbën jetën pasi automjeti ku ndodheshin ra në lumin Drino dhe të dy i mori rrjedha.

Balluku u shpreh se ka dërguar kërkesë për shpërblim të punonjësve të OSHEE-së dhe OST-së, të cilët kanë punuar me vetëmohim në ditët sfiduese të ndikuara nga moti.

Balluku: Me keqardhje dhe dhimbje të thellë njoftojmë humbjen e dy pjesëtarëve të vyer të ekipit tonë të madh të OSHEE-së, të cilët kanë humbur jetën në krye të detyrës gjatë orëve të fundit të mbrëmjes së djeshme.

Ismet Isaraj, 64 vjeç dhe Selfo Kallfa, 52 vjeç, me detyrë elektricist në degën rajonale të OSHEE-së Gjirokastër janë nisur për të lokalizuar defektin e linjës 6 kv të fiderit në radiostacionin e nënstracionit të Gjirokastrës. Pas ndërprerjes së komunikimit mes tyre dhe qendrës, janë njoftuar menjëherë forcat e rendit dhe më pas forcat e specializuara polumbare, të cilët bënë të mundur gjetjen e trupave të tyre.

Ismeti ka qenë 22 vite pjesë e kësaj familje dhe Selfo 34 vite, pasi e kishte nisur punën në moshën 18-vjeçare, aq vjeç sa është sot Fabiani, i biri i tij. OSHEE do të kujdeset për familjet e dy punonjësve të rënë në krye të detyrës, ne jemi të gjithë pranë tyre në këto momente tragjike dhe të dhimbshme.

Respekt për heroizmin e treguar nga punonjësit e OSHEE-së dhe OST-së në çdo moment të kësaj jave sfiduese, të cilët kanë punuar me vetëmohim në kushte ekstreme të ndikuara nga moti për të minimizuar dhe për të riparuar çdo defekt, çdo dëm elektrik dhe për të mos lënë askënd pa energji.

Kam kërkuar nga drejtuesi i OSHEE-së dhe OST-së të paraqesin pranë këshillave mbikëqyrës kërkesën për shpërblim të punonjësve, të  këtyre dy ndërmarrjeve për të gjithë punën e palodhur që kanë kryer gjatë gjithë këtyre ditëve sfiduese në kushtet e motit ekstrem.

Kujtojmë se dy elektriçistë kanë qenë duke inspektuar në zonën lindore të luginës, pasi kishte avari në linjat e përcjelljes së rrymës elektrike.

Policia njoftoi se ngjarja ndodhi rreth orës 00:30, në shtratin e lumit Drino, ku një automjet i OSHEE-së, në përpjekje për të kaluar lumin, e ka marrë rrjedha e lumit dhe për pasojë kanë humbur jetën Isaraj dhe Kallfa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA