Vjosa Osmani, qe në listën e Vetëvendosjes garoi për postin e presidentes, ka theksuar se nuk do ta ndjekin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas kërkesave që ka Serbia.
“Asociacioni me kompetenca ekzekutive është po aq i rrezikshëm sa edhe ndryshimi i kufijve sepse atë ka dhe qëllim përfundimtar. Madje, e destabilizon Kosovën për një kohë të gjatë, por në fund shkon te po i njëjti skenar. Prandaj duhet të respektohet ajo që ka thënë Gjykata Kushtetuese. Ai skenar duhet të eliminohet dhe nuk mund të hyjmë në këtë proces me logjikën se çka do t’i japë Kosova Serbisë sepse i kemi dhënë mjaft”, ka thënë Osmani.
Lidhur me zotimet e nënshkruara nga Kosova në Uashington, më 4 shtator të vitit 2020, pjesë e së cilës është edhe njohja që Kosova ka marrë nga Izraeli, si dhe se a do të hapë Kosova ambasadën e saj në Jerusalem, siç edhe është kërkesa e shtetit izraelit, Vjosa Osmani ka deklaruar se për këtë çështje do të konsultohen me administratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të vendosin bashkë me të.
“Në dokument thuhet se Kosova dhe Izraeli pajtohen që të bëjnë njohje reciproke. Pikë. Asgjëkund nuk përmendet Jerusalemi. Ne e kemi përshëndetur lidhjen e marrëdhënieve diplomatike. Por, ajo që do të bëjmë në tërësi për këtë marrëveshje, nga pika e parë deri te e fundit, është se do të këmbëngulim që të ulemi menjëherë, urgjentisht pas krijimit të qeverisë, me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, me administratën e tij të re, në mënyrë që të rishikojmë secilën pikë dhe të shohim se cili është përkushtimi i tyre në raport me to”, ka deklaruar Osmani.
Top Channel