Një ditë pasi u bë e qartë fitorja e tij në zgjedhjet e 14 shkurtit, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett u takua me kreun e VV-së, të cilit më së pari i ka përcjelle urimet e rastit, e më pas i ka paraqitur dhe një kërkesë.
Shefi i misionit diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë kërkoi që të punohet sa më shpejt për krijimin e qeverisë së re dhe Kuvendit për të zgjidhur sfidat urgjente me të cilat përballet vendi.
“I kënaqur që u takova me Albin Kurtin për të përgëzuar Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren e saj dhe për të diskutuar hapat e Kosovës në të vazhdim. Nxisim palët të punojnë shpejt për të formuar një qeveri dhe kuvend për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve”, ka shkruar Kosnett.
Shqetësimi i tij për vonesa nuk është I pabazë. Kur fitoi zgjedhjet e 6 tetorit 2019, Vetëvendosjes iu deshën 4 muaj negociata që të formonte qeverinë në 3 shkurt 2020. BE-ja po analizon edhe ndikimin që mund të mund të ketë ky rezultat zgjedhor në vazhdimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Në parim, në BE vazhdojnë të thonë se “nuk na takon ne të caktojmë se kush do të jetë përfaqësues i palëve në dialog” dhe se për bllokun është i pranueshëm kushdo që emërohet nga institucionet e Kosovës.
Por, duke pasur parasysh se fituesi i zgjedhjeve duhet ta përkthejë këtë fitore në krijimin e institucioneve të reja, atëherë edhe BE-ja do të presë dhe nuk planifikon ndonjë takim të radhës derisa të sqarohet situata rreth krijimit të Qeverisë së re të Kosovës.
Top Channel