Ngadhënjimi i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, ishte praktikisht kronikë e një ngjarjeje të paralajmëruar.
Shkëputja e thellë e saj prej rivalëve të tjerë thjesht u materializua në vota konkrete, sepse parashikimet ishin të sakta, edhe projeksionet për 41 deri në 46% të votave, u kapërcyen me partinë e Kurtit që i afrohet 50 përqindëshit, çka dëshmoi veç të tjerash si rrallëherë një gadishmëri të votuesve për të mbështetur një parti të vetme, thuajse e pazakontë kjo në Kosovë.
Shtetasit e saj, e sidomos të rinjtë, kanë varur shumë shpresa tek Vetëvendosja. Një ndikim në këtë fitore e pati padyshim dhe mbështetja e marrë nga Vjosa Osmani, politikania mjaft popullore e cila u bë e vetmja nga LDK-ja që mbështeti Kurtin dhe tani garoi për postin e presidentes me listën e Vetëvendosjes.
“Kosovarët duan punësim, duan t’i rrisin fëmijët e tyre në tokën e vet dhe mos detyrohen të emigrojnë, duan sundim të ligjit dhe një qeveri të përgjegjshme. Tre partitë e mëdha të djathta, LDK-ja, PDK-ja dhe AAK-ja e Ramush Haradinajt, e patën që të gjitha shansin e tyre për t’i shërbyer kosovarëve siç duhet, dhe që të gjitha dështuan”, thotë doktor Idlir Lika, i universitetit Gelisim të Stambollit.
Duke cituar sarkazmën e hollë të një komentatori politik shqiptaro-maqedonas, Lika thotë se për 13 vjet, elitave të djathta kosovare iu besua ndërtimi i një shteti, por në vend të kësaj, ata ndërtuan vila për vete. Sipas ekspertit, tani pritet që Brukseli e sidomos Washingtoni, ta mbështesin këtë radhë Vetëvendosjen.
Është paradoksale, shprehet Lika, sesi pavarësisht thirrjeve të përsëritura të aleatëve perëndimorë për sundim të ligjit, politikat e tyre rajonale, shpesh të përzjera dhe me interesa afat-shkurtra, kanë prodhuar në disa raste një rezultat krejt të kundërt, duke e çorientuar dhe më shumë demokracinë në Kosovë. Tani pas ngazëllimit të fitores, për Albin Kurtin vjen sprova e lëvizjes së tij anti-establishment të kthyer në parti politike- A do të vazhdojë VV të mbetet e tillë në thelbin e saj e të zbatojë platformën e vet antikorrupsion apo do të gllabërohet dhe vetë në fund prej një sistemi të cilin e ka akuzuar për grabitje e keqmenaxhim.
Top Channel