Autoritetet amerikane e pranojnë: Sulmi kibernetik rus ishte i përsosur!

15/02/2021 11:21

Në fundin e vitit te kaluar, autoritetet amerikane njoftuan se një sulm kibernetik kishte shënjestruar institucione të rëndësishme të vendit, dhe për këtë u fajësua Rusia.

Departamenti për Siguri Kombëtare, Departamenti i Thesarit dhe ai i Tregtisë i SHBA-së ishin në mesin e të prekurve nga sulmi, u tha atëherë duke cituar zyrtarë të paidentifikuar që kishin njohuri për këtë goditje. Presidenti i kompanisë, Microsoft-it, Brad Smith, u shpreh tani se ky mund të jetë ndoshta “ sulmi më i madh dhe më i përsosur kibernetik që ka ndodhur në botë ndonjëherë”.

“Ne e pyetëm veten se sa inxhinierë kanë punuar për këto sulme, pasi analizuam gjithçka që pamë në Microsoft. Dhe dolëm në përfundimin se mund të kenë qenë më shumë se një mijë persona”, tha Smith në emisionin “60 Minutes”. Moska vetë ka mohuar çdo përfshire në këtë sulm.

Ekspertët e sigurisë kibernetike thonë se do të duhen muaj për të identifikuar të gjitha sistemet e prekura nga kjo ndërhyrje masive e hakerave. Në fund të dhjetorit, Microsoft e pohoi se sistemet e tij ishin sulmuar, por këmbënguli se siguria e shërbimeve nuk ishte prekur. Kompanitë dhe bizneset e prekura nga ky sulm ishin në disa vende të tjera, duke përfshirë Kanadanë, Meksikën, Belgjikën, Spanjën, Mbretërinë e Bashkuar, Izraelin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Top Channel